Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama bëri të ditur se numri i të shpëtuarve nga tërmeti shkatërrues ka arritur në 28.
Ai në një postim në rrjetet sociale më tej shtoi: “Do të vijojnë kërkimet që do të kryhen me durim e imtësi deri në fund, ndërkohë që pas pak orësh do fillojnë të na bashkohen njëra pas tjetrës skuadrat speciale nga Kosova, Turqia, Italia, Greqia, Franca, Serbia, Mali i Zi”.
Më tej shprehu ngushëllimet për jetët e humbura. “Lehtësimi për çdo jetë të shpëtuar nuk bën më të vogël dhimbjen për jetët e humbura dhe keqardhjen e jashtëzakonshme për familjet që lotojnë të humburit. Edhe pse fjalët i merr era në këto momente kaq tragjike, u përcjell ngushëllimet e përqafimet më vëllazërore familjeve që tani qajnë njerëzit e tyre”, tha Rama.
Më herët presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në një deklaratë u shpreh se “Vendi ynë u godit nga një valë tërmetesh si asnjëherë më parë në errësirën e orëve të para të ditës së sotme”.
Më pas ai tha se është e rëndësishme të punohet me përkushtim e profesionalizëm për të shpëtuar çdo jetë njerëzore që ndodhet nën rrënojat e ndërtesave dhe të ndihmohen të plagosurit. “E rëndësishme të evidentohen banorët që s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që kanë nevojë për strehim”, tha Meta.
Sot në mëngjes Shqipëria u godit nga një tërmet prej 6.4 ballë sipas Rihterit. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se numri i të vdekurve nga tërmeti është rritur në 9 persona ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës kanë marrë shërbim mbi 600 të lënduar si pasojë e tërmetit./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post