Punëtorët e sektorit publik dhe privat të Kosovës ende vazhdojnë të punojnë pa sigurime shëndetësore. Kjo nuk ësht e mirë e as e pranueshme për ta, transmeton Gazeta Mejdani
Nga të gjithë punëtorët që marrin paga nga buxheti i shtetit, për policët po konsiderohet mese i domosdoshëm.
Për këtë, kryetari i sindikatës së policisë së Kosovës, Shaban Tasholli thotë se kanë dërguar edhe shkresa drejtuar qeverisë ku kërkohet sigurimi i shëndetit të jetës për policet por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Deri me tani kemi 19 policë të rënë në detyrë, kemi me qindra policë të lënduar, gjithashtu kemi edhe me sëmundje të ndryshme. Pjesëtarët e policisë detyrohen që ato pagesa ato kontrollime t’i bëjnë vet nga xhepi i tyre”, thotë Tasholli për rtvd, njofton Telegrafi.
Derisa sektori publik kërkon që ky ligj të implementohet, ai privat e kundërshton edhe ligjin aktual.
“Përderisa jemi në këtë gjendje, çfarë jemi, përderisa pronarët e kompanive nuk paguajnë kontribute nuk paguajnë benificione tjera ligjore ndaj punëtorëve, çështja e sigurimeve nuk vjen në shprehje”, thotë kryetari i sindikatës së punëtorëve privat.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se të gjitha qeveritë e deritanishme kanë neglizhuar shumë procese.
“Kjo është një skllavëri për punëtorët në përgjithësi, këta janë lobuesit kryesor në parlament, për këtë arsye ata i gjejnë metodat e veta, qoftë nëpër mediume apo diku tjetër që ta kundërshtojnë ligjin”, ka thënë Syla.
Edhe pse ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë se është duke u punuar në këtë çështje, deri me tani nuk është bërë diçka konkrete.
Ministria e Shëndetësisë, kishte planifikuar t’i nisë mbledhjen e premiumeve në janar të vitit 2017, në mënyrë që të nisë ndërtimi i fondit të sigurimit shëndetësorë që në fund pritet të përdoret për ta përmirësuar gjendjen e përgjithshme të shëndetësisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur./Telegrafi/
Discussion about this post