Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të refuzojnë armët bërthamore dhe rikthimin e doktrinës së Luftës së Ftohtë, duke thënë se rezervat e armëve bërthamore zvogëlojnë sigurinë, shpenzojnë para dhe kërcënojnë njerëzimin.
Këto komente papa i bëri të dielën gjatë një vizite në qytetin japonez Nagasaki, në të cilin forcat amerikane lëshuan një bombë bërthamore në vitin 1945.
Pasi vendosi kurorë në memorialin e viktimave të bombardimit bërthamor, Papa Françesku tha se vendi është një kujtesë e “dhimbjes dhe tmerreve që ne njerëzit jemi në gjendje t’i shkjaktojmë njëri-tjetrit”.
“Jam i bindur që një botë pa armë bërthamore është e mundur dhe e domosdoshme dhe unë u bëj thirrje udhëheqësve politikë të mos harrojnë se këto armë nuk mund të na mbrojnë nga kërcënimet aktuale për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Papa.
Papa të shtunën mbërriti në një vizitë treditore në Japoni, ku vizitoi Nagasakin dhe Hiroshimën në kuadër të një fushate kundër armëve bërthamore, në të cilat bombarduesit amerikanë në gusht të vitit 1945 hodhën dy bomba bërthamore. Si pasojë e bombardimit, u vranë gjithsej 140.000 njerëz.
Selia e Shenjtë, autoriteti suprem i Kishës Katolike, ishte ndër të parat që nënshkroi dhe ratifikoi traktatin e ri të OKB-së për ndalimin e armëve bërthamore, kurse në vitin 2017, Papa Françesku deklaroi se “nuk duhet dënuar vetëm përdorimin, por duhet të dënohet edhe posedimi i armëve bërthamore”.
“Një nga dëshirat më të thella të zemrës së njeriut është siguria, paqja dhe stabiliteti. Posedimi i armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë nuk është përgjigjja e kësaj dëshire”, tha Papa.
Kreu i Kishës Katolike do të takohet të hënën me viktimat e katastrofës bërthamore të vitit 2011 në Fukushima dhe pas këtyre vizitave është planifikuar një takim me perandorin japonez Naruhito dhe kryeministrin e vendit Abe Shinzo.
Discussion about this post