Dhimbje, skuqje dhe ënjtje të kyçeve, vështirësi në lëvizje, sidomos pas një periudhe qetësie, temperaturë subfebrile 37-37.5, dhimbje muskujsh dhe dobësi trupore, janë ankesat që shfaqin pacientët me artirit reumatoid. Fillimisht ankesat janë në artikulacionet e duarve dhe këmbëve.
Shkruan: Blerina Dhamo, reumatologe
Me avancimin e sëmundjes shtoht numri i artikulacioneve të prekura. Pacientët hasin vështirësi në punët e mëngjesit, si larja e fytyrës dhe gojës, veshja e teshave dhe këpucëve, krehja etj. Këto dhimbje nuk kalojnë me paracetamol apo ibuprofen, medikamente që u referohemi shpesh në rast dhimbje. Nëse dhimbjet e kyçeve zgjasin mbi një muaj pacienti duhet të shkojë tek mjeku reumatolog për të përjashtuar fillimin e artritit.
Cilat mosha duhen të bëjnë analizat për të zbuluar herët artritin?
Artriti është një sëmundje që preferon femrat por edhe meshkujt ndonëse preken më pak nuk janë të përjashtuar. Femrat e moshës 45-60 vjec janë 2-3 herë më të rrezikuara se meshkujt. Duhani është gjithashtu një faktor risku së bashku me obezitetin. Ndaj u sugjeroj këtyre kategorive nëse kanë dhimbje të kyçeve duhen të bëjnë checkup të artritit. Personat që kanë familjarë me artrit kanë rrezik me të lartë se pjesa tjetër e popullatës dhe duhet të tregojnë kujdes ndaj çdo dhimbje kyçi.
Si diagnostikohet kjo sëmundje?
Diagnostikimi i artritit reumatoid bëhet nga mjeku reumatolog nëpërmjet vizitës mjekësore dhe disa analizave të thjeshta gjaku. Intervista mjek-pacient është shumë e rëndësishme për të kuptuar sëmundjen. Vizita që bëhet nga mjeku fokusohet tek kyçet për të parë numrin e kyçeve të prekura, lëvizjet e tyre, prekjen e organeve të tjera nëse ka. Në disa raste mund të jetë e nevojshme dhe ndonjë grafi ose eko e artikulacionit të prekur.
Cila është terapia që duhet ndjekur mbi parandalimin e ndërlikimeve që sjell kjo sëmundje?
Artriti reumatoid është një sëmundje e cila po u diagnostikua herët, aq më shumë shanse ka që pacienti të bëjë një jetë pa dhimbje dhe pa deformime të kyçeve. Diagnostikimi i hershëm dhe fillimi i mjekimit është çelësi në suksesin e trajtimit dhe shmangien e deformimeve artikulare që bën artriti. Nëpërmjet mjekimeve klasike, si dhe barnave biologjike, të cilat realizohen ne spitalin tonë, pacientët do të arrijnë të bëjnë një jetë më cilësore. E rëndësishme është që të ndiqen rregullisht nga mjeku reumatolog çdo 2 apo 3 muaj për të ndjekur nga afër rezultatin e mjekimit por edhe efektet anësore të tij.
Discussion about this post