Komuna e Drenasit ka njoftuar se ka rrënuar një objekt pa leje i cili ishte ndërtuar në tokë bujqësore.
“Komuna mbetet e përkushtuar që të mbrojë tokat bujqësore dhe se asnjë ndërtim nuk mund të bëhet pa lejë përkatëse dhe që nuk është në pajtim me ligjin. Në vazhdën e këtij angazhimi, Inspektorati i Komunës së Drenasit ka realizuar një aksion për rrënimin një objekti të ndërtuar në tokë komasative (bujqësore). Në bashkëpunim me stacionin policor të Drenasit, inspektorati ka ndërmarrë aksionin duke rrënuar objektin e ndërtuar pa leje, konkretisht, objekti që ndodhej në parcelën nr. P-70314067-00036-0 zonën kadastrale Sankoc, në afërsi të rrugës magjistrale ‘Autostrada M9’, Komoran”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.
Sipas këtij njoftimi, inspektorët më 9 gusht palës ndërtuese ia kishin ndërprerë punimet në ndërtimin e objektit duke i vendosur shenjën zyrtare. “Ndërsa, më datën 14.08.2019, të njëjtit i është lëshuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve në tokën komasative. Me datën 18.08.2019, pala nuk ka respektuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve, duke e larguar shenjën dhe kishte vazhduar ndërtimin. Kurse, me datën 19.09.2019, për herën e tretë, palës i është rivendosur shiriti dhe i është lëshuar aktvendimi për rrënim. Përkundër këtij aktvendimi, pala ka vazhduar ndërtimin, duke mos përfillur asnjë urdhër të inspektoratit. Në këtë formë, meqë pala ka vepruar kundërligjshëm, me datën 01.10.2019, palës i është lëshuar urdhri për ekzekutimin e rrënimit të objektit, ku është njoftuar se sot, në ora 09:00, do t’i rrënohet objekti”, është thënë në këtë njoftim.
Kjo komunë ka ftuar të gjithë personat fizikë e juridikë, të mos ndërmarrin asnjë veprim për ndërtime pa leje, sidomos ata në prona komasative.
Discussion about this post