Pesë kandidatët për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, të gjithë në territorin e kryeqytetit të Prishtinës, raporton Gazeta Mejdani.
Këto janë zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj si arsye e ftesës ndaj tij nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas të dhënave në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), në këtë garë zgjedhore do të përfshihen 25 subjekte politike, nga to 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur, për të cilët do të mund të votojnë gjithsej 1.937.869 votues të regjistruar në listën zgjedhore për pesë kandidatë për kryeministër të certifikuar nga institucioni zgjedhor.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Kadri Veseli, votoi në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë. Pas votimit, ai uroi qytetarët duke theksuar se sot është një ditë e jashtëzakonshme për vendin.
“I uroj të gjithë qytetarët e vendit tim, t’i japim perspektivë vetvetes, t’i japim perspektivë Kosovës sonë perëndimore, t’i japim perspektivë të ardhmes sonë, fëmijëve tonë më shumti”, tha Veseli.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidati për kryeministër i nominuar nga partia e tij dhe Partia Socialdemokrate (PSD), Ramush Haradinaj, votoi në shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, ku dhe bëri thirrje që qytetarët të dalin në votime.
“Vetëm me votë vendosim vetë, pra ata që nuk votojnë të tjerët vendosin për ta. I ftoj të gjithë të votojnë”, tha Haradinaj.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ai deklaroi se 6 tetori, dita e zgjedhjeve, është ditë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.
“Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë shans unik për nga karakteri, e historik për nga pesha”, tha Kurti.
Kandidatja për kryeministre e nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, votoi në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës. Kandidatja e vetme femër në këto zgjedhje tha se 6 tetori është një ditë historike.
“Shpresoj që gjithçka të ecën mbarë që qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë nëpërmjet së cilës e përcaktojnë fatin e tyre por edhe të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe që gjithçka të shkoj pa asnjë presion”, tha Osmani.
Kreu i partisë NISMA për Kosovën dhe kandidat i nominuar nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj, votoi në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë. Ai shprehu shpresë se këto zgjedhje do të sjellin siguri vendit.
“Kjo mundësi të shfrytëzohet nga gjithë qytetarët e Kosovës. Unë pres që gjithë qytetarët e Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar sipas bindjes së tyre dhe siç e thash sot në mbrëmje të ketë një rezultat që i jep siguri vendit tonë”, tha Limaj.
Po ashtu edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, votoi në shkollën fillore “Faik Konica”. Ai i ftoi qytetarët të dalin të votojnë, siç tha ai, për të mirën dhe të ardhmen e tyre.
“Ky do të jetë një votim për të ardhmen euro-atlantike të sigurt të Kosovës, për një jetë më të mirë për qytetarët, për zhvillim ekonomik, për mirëqenie dhe për vende të punës”, tha Thaçi.
Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku do të garojnë gjithsej pesë kandidatë për postin e kryeministrit, do të vendosin për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve 100 do t’i përfaqësojnë subjektet politike, 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.
Partia Demokratike Boshnjake, Partia Demokratike Vatan dhe Partia e Bashkuar Boshnjake e formojnë Koalicionin Vakat; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e formojnë Koalicionin AAK-PSD; Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e formojnë koalicionin NISMA–AKR–PD; ndërsa Partia Përparimtare e Kosovës dhe Partia e Re e Kosovës e formojnë Koalicionin e quajtur “Sloboda” (Liria).
Discussion about this post