Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani në tubimin e sotëm me qytetarë të Podujevës, është zotuar se edhe tri ditë i ndajnë nga fitorja në këto zgjedhje, kur PDK-ja dhe ‘Klani i saj Pronto’ do të shkojnë në opozitë.
Osmani po ashtu është zotuar se Qeveria të cilën do ta udhëheqë si kryeministre, secilit qytetarë do t’i krijojë mundësi të barabarta për ta ndërtuar të ardhmen brenda vendit.
Ajo mes tjerash tha se ‘Klani Pronto’ me krim e korrupsion e kanë shkatërruar shtetin dhe e ka vrarë shpresën te rinia, ndërsa shtoi se janë të kota përpjekjet që me montime dhe falsifikime të krijojnë përçarje në LDK, pasi “janë më unikë se kurrë”.
“Ju e dini shumë mirë të dashur llapjan që kur e kemi dhënë besën para jush, kurrë nuk e kam shkelë atë besë. E kemi thënë, dhe po e përsërisë prapë, jo me PDK-në, jo me regjisorët e ‘pronto’-s, jo me regjisorët e falsifikimeve e montimeve. Ata do shkojnë në opozitë të gjatë dhe s’kanë më çka kërkojnë në Qeverinë e Kosovës. Zotohem para jush llapjanë të dashur, që Qeveria të cilën do ta udhëheq, si kryeministre e saj, secilit qytetarë të vendit, pa dallim do t’i krijojmë mundësi të barabarta për ta ndërtuar të ardhmen brenda Kosovës, e jo të shikojnë vetëm si të ikin nga këtu”, tha Osmani
Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Podujevës, Agim Veliu theksoi se kjo parti është e mobilizuar që t’i fitojë këto zgjedhje, pasi Kosova ka nevojë për lidhjen e saj.
Veliu po ashtu tha se Kosova nuk guxon më të lihet në duar të keqbërësve, por të udhëhequr nga qytetarët e saj, jo nga komandantët ushtarakë me uniforma dhe pa to. Sipas tij, vendit i duhet një kryeministre, që vjen nga LDK, Vjosa Osmani.
Mes tjerash ai tha se sot po dëshmohet edhe një herë se Podujeva, është djepi i LDK-së, sipas Veliut askund nuk është më e fuqishme se këtu.
“Të kota janë dhe mësymjet e oponentëve politike në këto ditë fushate edhe në këto zgjedhje, sepse sërish po kthehen të zhgënjyer dhe duar thatë nga Podujeva. Askush dhe asnjëherë nuk mund ta thyejë bastionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Llap. Ju ftoj të mendoni për një çast për ofertën politike që ofrojnë sot partitë oponentë në Kosovë, e që deri dje ishin bashkë në ‘ndarjen e kulaçit’ në pushtet. Në një anë, keni komandantët, të fortit, ata që flasin fjalë të mëdha që premtojnë, i njihni të gjithë. E kanë udhëhequr Kosovën gjithë këto vite me zgjedhje e pa zgjedhje, në qeveri e në rrugë, por edhe në nëntokë”, theksoi Veliu.
Ndërsa, shefi i Shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri tha se në këtë rrugë të madhe politike kundërshtarët po mundohen të përçajnë LDK-në me lajme të rrejshme dhe shpifje të fabrikuara, pasi Agim Veliu dhe të tjerët janë unikë.
“Mos i besoni rrenave që fabrikohen, lëshohem, sepse 3 gushti, menaxhimi i kuvendit të LDK-së nga Agim Vleiu, me mbështetje këtu të Vjosës, e imja dhe gjithë kolegëve, është që të ruhet uniteti i LDK-së. Pra, i ka dëshpërua gjithë rivalët tanë deri në palcë, sepse ata e dinë që kur LDK çohet në këmbë nuk ka kush e ndal. Ne jemi çuar në këmbë, krejt Llapi dhe Kosova u çuar në këmbë dhe nuk mund të na ndalë askush. Le të prodhojnë çka të donë. Ne besojmë në Republikën e Kosovës dhe ne besojmë në Zotin e madh. Atyre kujtimi vetëm që do t’iu mbetet prej Llapit, është çaji i Sabitit. Çaj po, por votën jo, s’e nuk e meritojnë”, deklaroi Haziri.
Kandidatë për deputet nga kjo komunë janë Nexhmi Rudari, Fidan Rekaliu, Florie Besholli, Ekrem Hyseni dhe Visar Hoti. /KosovaPress/
Discussion about this post