
Ofensiva turke në veri të Sirisë ka hyrë në ditën e nëntë (17 tetor), dhe shqetësimet ndërkombëtare për një krizë të re humanitare dhe ringjalljen e grupit militant ekstremist, Shteti Islamik, janë në rritje.
Sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka takuar në Ankara nënpresidentin amerikan, Mike Pence, raporton AA.
Erdoğan priti nënpresidentin e SHBA-ve në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Edhe pse nuk kishte deklaratë pas takimit, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Pence dhe delegacioni i tij janë dërguar në Ankara për të biseduar në lidhje me operacionin antiterrorist të Turqisë “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë.
Pas takimit që zgjati një orë e 40 minuta, i cili u zhvillua prapa dyerve të mbyllura, filloi një takim midis delegacioneve.
Në delegacionin amerikan që sot arriti në Turqi bën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja vazhdimisht ka potencuar se operacioni nuk ka në shënjestër kurdët, por synon ta pastrojë rajonin nga organizata terroriste PKK dhe dega e saj siriane YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.
Discussion about this post