
Marrëdhënia midis Isa Musfafës e Albin Kurtit është shfaqje konkrete e dilemës së të burgosurit tek teoria e lojës. I kemi dy të burgosur, sikur tek dilema e të burgosurit, kurse prokurori është opinioni publik.
Shkruan Zgjim Hyseni
Shumë kohë para zgjedhjeve të 6 tetorit, Isa Mustafa dhe Albin Kurti e patën shpallë kumtin se bashkëpunimi VV-LDK nxjerr në dritë Kosovën. Midis tyre gjithçka dukej e lehtë, halli ishte si të eliminohen pengesat e tjera. Sikur tek dilema e të burgosurit, në vepër janë bashkë që të dy. Por, pasi janë zënë, prokurori mund ta lehtësojë njërin ose tjetrin nëse ky e zbulon sekretin e tjetrit. Që të dy, në rutinën e takimeve të njëpasnjëshme që nuk po kryhen, para dhe pas takimit i drejtohen prokurorit- pardon opinionit publik. Marrëdhënia e tyre udhëhiqet nga reagimi i opinionit publik karshi veprimeve të njërit ndaj tjetrit.
Të burgosurit e opinionit publik janë pengje të populizmit që e kanë krijuar vet. Çfarë dimë me siguri është që dilema e të burgosurit, por edhe teoria e lojës në përgjithësi udhëhiqet nga interesi partikular. Emancipimi, interesi publik, madje edhe progresi janë të huaj për të. Nuk shpejgohet ndryshe fakti që bashkëpunimi midis tyre paraqitej si imperativ që nuk pret, kurse sot hahen për pozitën e Presidentin që do të zgjidhet pas 2 vitesh. Përparimi e emancipimi janë tash dhe këtu, kurse virtyti i tyre është mirëbesimi e solidariteti karshi tjetrit. Në teorinë e lojës kemi hamendje mbi situatat hipotetike mbi çfarë mund të bëjë tjetri në të ardhmen pas veprimit tim. Pra, kemi shtyrje kohe, dhe gjykim e paragjykim mbi tjetrin.
Këtij problemi nuk mund t’i përgjigjemi duke u bërë pjesë e spektaklit të teorisë së lojës. Nuk ka nevojë ta vrasim mendjen se çfarë mund t’i kenë thënë njëri-tjetrit në takim. Ata po na tregojnë mjaft me faktin që marrëdhënia e tyre ndërmjetësohet nga opinion publik. Është vetë instanca legjitimuese përmes të cilës të burgosurit sulmojnë ajo që duhet dekonstruktuar e duhet luftuar. Tjetri i Madh nuk ekziston – kjo nuk është një frazë relativizuese, por pozicioni i vërtetë etiko-politik. Nuk ka asnjë instancë të fundme gjykuese që u jep kuptim paraprak veprimeve tona.
(Autori është nënkryetar i PSD’së)