(Shkas: reagimet përkitazi me ngjarjet e fundit në Francë)
Shkruan: Sali Shasivari
S’do mend se provokimet dhe sulmet e njëpasnjëshme të cilat po bëhen ndaj muslimanëve, edhe atë, herë ndaj tyre si individ dhe shoqëri, e herë ndaj shenjtërive të tyre, jo vetëm që nuk janë të rastësishme dhe aksidentale, por ato janë mirë të menduara dhe të orkestruara, edhe atë, me qëllim që t’i fusin muslimanët në një rreth vicioz dhe në një hallkë të zbrazur të frustracioneve, reagimeve, konflikteve, luftërave, etj… E, për pasojë, reaksionet e tyre do të mundësonin provokime dhe sulme edhe më të mëdha… E gjithë kjo, konform qasjes ‘problem, reakcion, intervenim’…!
Provokimet dhe sulmet e këtilla po shkaktojnë islamofobi – të paparë deri më tani – në të gjitha vendet ku muslimanët janë pakicë, si dhe, po nxisin destabilitet dhe luftëra të brendshme vëllavrasëse – të paqena deri më tani – në të gjitha vendet ku muslimanët janë shumicë!
Madje, nuk ka dyshim se, një situate të këtillë po i ndihmon dukshëm injoranca, antagonizmat, përçarja, indiferenca, neglizhenca, mungesa e punës dhe strategjisë, inferioriteti, konformizmi, servilizmi, nënshtrimi, etj., tipare këto nga të cilat vuajnë shumica e muslimanëve të sotëm gjithandej!
Si rezultat i kësaj gjendje të palakmueshme, sa herë që ndodhin provokime dhe sulme, reagimet janë tejet stihike, emocionale, të pa-organizuara, të pa-koordinuara, pa plan, pa strategji, pa qëllim… Reagime këto, të cilat, shpeshherë veniten dhe shuhen brenda një periudhë shumë të shkurtër, pa ndonjë efekt afatgjat… Madje, të njejtat, në të shumtën e rasteve, përkeqësojnë situatën edhe më shumë, duke shkaktuar efekte dhe pasoja vetëshkatërruese!
Pikërisht ky është realiteti i hidhur i cili po e karakterizon spektrin musliman anekënd botës…!
Për fat të keq, një realitet i këtillë i hidhur nuk i ka kursyer as muslimanët e Evropës në përgjithësi, e as muslimanët shqiptarë në veçanti…!
Bile-bile, realiteti i shqiptarëve musliman, aq sa është i hidhur, po aq është realitet sui generis, i cili arrin përmasa tragji-komike!
Kjo, ngase, shqiptarët muslimanë, në realitetin e tyre, po përjetojnë gjitha llojet dhe format e kontradiktave dhe absurditeteve në këtë aspekt…!
Kështu:
– Shqiptarët muslimanë, ndonëse janë autoktonë në këto troje, dhe me traditë shekullore si pjestarë të kësaj feje, ata, jo vetëm që diskriminohen në çdo aspekt, por të njejtët, shpeshherë, konsiderohen si trup dhe element i huaj (turk, arab, aziatik, etj.); me ç’rast, të shumta janë thirrjet që bëhen ndaj tyre për shporrje nga këto vende… Qasje kjo që i tejkalon përmasat e trajtimit të ardhacakëve dhe migrantëve në vendet tjera!
– Shqiptarët muslimanë të ‘shqipërive’ tona, ndonëse përfaqësojnë shumicë dërrmuese, statusi i tyre socio-kulturor dhe politiko-juridik – konform të drejtave fetare – është në nivel aq të ulët, sa që, ata konsiderohen jo vetëm si pakicë, por si qytetarë të dorës së dytë!
– Shqiptarët muslimanë të ‘shqipërive’ tona, përskaj numrit të tyre shumicë, si dhe përreth të qenurit kontribuesit më të mëdhenj në çdo pore të jetës, duke përfshirë këtu edhe arkat e shqipërive tona, ata konsiderohen të pa-përfaqësuar, të neglizhuar, dhe të diskriminuar në shumë nivele…
Në saje të kësaj, shqiptarët muslimanë, tashmë tri dekada (duke e lënë anash periudhën moniste), po u nënshtrohen kampanjave linçuese, të cilat kanë për qëllim ndryshimin e strukturës dhe spektrit kulturor dhe demografik të këtyre vendeve…!
E ajo që është edhe më tragjike, është fakti se, përreth gjithë kësaj maqinerie propagandistike dhe islamofobike të përmasave ‘inkuizicioniste’ – e cila po dirigjohet nga qarqe të ndryshme, e shoqëruar me një kampanjë të egër dhe sistematike mediatike, komunitetet muslimane të këtyre trojeve vazhdojnë të qëndrojnë indiferent dhe neglizhent ndaj gjithçkahit që ndodh përreth tyre dhe ndaj tyre; përpos disa reagimeve sporadike individuale, dhe disa sosh tjera kontradiktore!
Kjo letargji dhe kjo kllapi, si shumë herë më parë, u vërejt dukshëm edhe me rastin e ngjarjeve të fundit në Francë, me ç’rast, përskaj detajeve tjera, ajo që ra në sy ishte provokimi i qartë që iu bë shumicës dërrmuese të popullit shqiptar musliman kosovar nga ambasadori i tyre në Paris; veprim ky, i cili, përreth relativizimit që iu bë, shënon presedencë në këtë aspekt, ngase, është hera e parë që në proviniencën shqiptare ‘preket’ një shenjtëri – siç është Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem – nga një figurë zyrtare politiko-diplomatike, siç është ambasadori!
Rrjedhimisht, ajo që është edhe më e rrezikshme në gjithë këtë ‘dramë’, është ‘guximi’ i të ashtuquajturve analistë dhe opinionistë të proviniencës shqiptare, të cilët, jo vetëm që e banalizuan deri në maksimum seriozitetin e këtij veprimi islamofob, por, ata, shfrytëzuan rastin që, si zakonisht, të hedhin edhe më shumë ‘helm e vrerë’ ndaj pjesës dërrmuese të popullit të cilit i përkasin, duke vazhduar kontaminimin dhe polarizimin e shoqërisë shqiptare, edhe ashtu të elektrizuar skajshmërisht në çdo pore të jetës!
E, për të qenë ironia edhe më e madhe, mënyra dhe niveli i reagimeve nga popullata shqiptare muslimane ishte jo vetëm spontane, stihike, dhe në disproporcion me ngjarjet në fjalë, por, shumica e reagimeve të atyre të cilët u thirrën dhe u kyçën në debate (si palë e akuzuar dhe si ‘palë mbrojtëse’ në të njejtën kohë), përpos që ishin tejet të ç’akorduara dhe me nivel të dobët, të njejtat, në disa raste, ishin skandaloze…; duke bërë që debatet të shkojnë përsëri në favor të nxitësve të urrejtjes dhe stereotipeve! Kjo, përpos disa përjashtimeve të vogla, ku debatuesit apo analistët bënë qasje konstruktive.
Në gjithë këtë ‘gjurullti’, u hetua dukshëm mungesa e qasjeve dhe reagimeve të koordinuara kolektive dhe institucionale, e, me theks të veçantë, mungesa e rolit të pritur dhe të duhur të organizatave, bashkësive dhe komuniteteve muslimane; me ç’rast, si zakonisht, përpos deklaratave sipërfaqësore, çdo gjë tjetër iu la stihisë…!
Së këndejmi, duke u bazuar në ‘morte’ të këtilla, është momenti i fundit që komuniteti shqiptaro-musliman – si në nivel individual, poashtu edhe në atë kolektiv dhe institucional – të reflektojë mbi këtë gjendje dhe situatë në të cilën është katandisur, dhe njëherë e përgjithmonë ta kuptojë faktin se, të jeshë shumicë në numër nuk të bën domosdoshmërisht ‘zot të denjë’ në votrën dhe shtëpinë tënde; por, plani, strategjia, puna, angazhimi dhe faktorizimi, janë ato që imponojnë respektin dhe konsideratën e të tjerëve ndaj teje.
Andaj:
– Komuniteti shqiptar musliman i ‘shqipërive’ tona duhet të punojë në drejtim të realizimit të statusit dhe peshës që ka…
– Komuniteti shqiptar musliman i ‘shqipërive’ tona duhet të punojë drejt arritjes së përfaqësimit adekuat, realizimit të të drejtave të natyrshme, dhe marrjes së hises që i takon…
– Komuniteti shqiptar musliman i ‘shqipërive’ tona duhet të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat juridike dhe ligjore për sanksionimin e çfarëdo anatemimi, stereotipizimi, diskriminimi, nënçmimi, përjashtimi dhe demonizimi që bëhet ndaj tyre nga individë grupe, qarqe, media, institucione, etj.
– Komuniteti shqiptar musliman i ‘shqipërive’ tona duhet të konsolidojë organe dhe institucione të mirëfillta, të cilat do ta përfaqësojnë atë në mënyrë dinjitoze…
– Komuniteti shqiptar musliman i ‘shqipërive’ tona, përpos në sferën fetare, duhet të jetë më aktiv dhe më i zëshëm në luftimin e gjitha fenomeneve tjera negative në shoqëritë shqiptare, duke denoncuar fajtorët e mjerimit…
– Komuniteti shqiptar musliman i ‘shqipërive’ tona, ashtu siç kontribon dukshëm në sferën humanitare, është koha e fundit që të orientojë kapitalin e tij drejt përgatitjes së kuadrove të shëndoshë në të gjitha fushat, si dhe në përgatitjen e një elite të mirëfilltë, e cila do t’i përfaqësojë denjësisht në çdo pore dhe sferë të jetës; duke përfshirë këtu përgatitjen e kuadrove dhe platformave mediatike…
Përndryshe, komuniteti shqiptaro-musliman i ‘shqipërive’ tona do të vazhdojë të jetojë si qiraxhi në vatrat dhe shtëpitë e veta; bile-bile, si i parespektuar, i anatemuar, i nënçmuar, dhe i akuzuar…!