Pas nismës së mazhorancës për të mos e bërë detyrues betimin tek Presidenti të të zgjedhurve në organet e drejtësisë, ish-Kryeministri Sali Berisha sheh tentativën e kreut të qeverisë për të kapur sistemin.
“Gjithçka po bëhet për të kapur si gaforre drejtësinë. Në ka figurë të diskredituar në Europë në sistemet e drejtësisë, është Dvorani që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese që edhe 100 vite nuk preket më as me ligje e Kushtetutë”.
Sipas ndryshimeve që shumica kërkon t’i bëjë ligjit, kreut të shtetit i lihen 10 ditë afat për të kryer ceremoninë dhe nëse ai refuzon, i zgjedhuri mund ta bëjë betimin me shkrim, siç ndodhi me rastin e Arta Vorpsit që u përzgjodh si anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Këshilli i Emërimeve në drejtësi. Por ish-Kryeministri Berisha thotë per Tv Klan se asnjë ligj nuk mund të zhbëjë atë që dikton Kushtetuta.
“Asgjë nuk anulon, veç amnistisë. Vendimet e Gjykatës s’i pezullon dot. Ky sot po ndërton gjykatë. Nuk është gjë veç standardi i narkoshtetit për të kapur drejtësinë”.
Berisha flet për një drejtësi të paralizuar, pavarësisht se ndërkombëtarët e shohin ngritjen e SPAK-ut si organi që do të vërë përpara drejtësisë zyrtarë të lartë të korruptuar.
“Po shkohet drejt një drejtësie të paralizuar. Një drejtësi e kapur. Kanë gabuar rëndë ata që kanë përdorur qëndrime policeske jo ka frikë jo s’ka frikë. Një drejtësi e kapur është e paralizuar. E kapën njëherë drejtësinë këta të qeverisë dhe ajo dështoi, dhe kjo ka të gjitha shanset për të dështuar. Ose këtu vendoset diktaturë dhe këtë synon Rama dhe drejtësia mbetet e paralizuar”.
I pyetur në lidhje me zhvillimet në Kosovë, si ish-Kryeministër beson në ardhmërinë e koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike.
“Besoj se liderët e tyre do të jenë në lartësinë e mesazhit dhe votës së lirë dhe ta përkthejnë këtë mesazh në një qeveri të mirë për qytetarët e Kosovës”./klan
Discussion about this post