Në këto zgjedhje, koalicioni i quajtur “Liria” i partive opozitare serbe nuk po mund të gjejë një ambient demokratik për ta zhvilluar fushatën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Kandidati i këtij koalicioni për kryeministër, Nenad Rashiq, nuk mund ta prezantojë planin e tij për zgjedhjet e parakohshme në një tubim klasik, siç ndodhë pothuajse me të gjitha partitë e tjera. Këtë po e bën të pamundur partia e dirigjuar nga Beogradi, Lista Serbe.
Rashiq thotë se ai dhe partnerët e tij të koalicionit nuk mund të mbajnë tubime për t’ua treguar serbëve vizionin e tyre. Në një intervistë për Gazetën Sinjali, Rashiq ka treguar arsyet se si po u pamundësohen atyre organizimet e tubimeve në qytetet me shumicë serbe.
“Nuk kemi pasë tubime publike sepse këtu te ne është shumë komplekse të bëjmë tubime publike. Lista Serbe i keqpërdorë informacionet dhe i përdorë pastaj për të bërë presion ndaj atyre njerëzve të cilët janë pjesë e koalicionit, aktivistëve tanë dhe njerëzve që duan të vijnë në tubim. Dje kemi bërë fushatë, pasi që Rada Trajkoviq ka shkuar atje, por jo tubime. Ne jemi më shumë të organizuar në një punë që të takohemi drejtpërdrejt me qytetarë, jo tubime dhe sende tjera, sepse siç ju thash, nëse dikush bën një tubim normal, kushtimisht po e them normal, kjo mundet me pasë një efekt të kundërt, ku ata persona që janë prezentë pastaj kërcënohen dhe u bëjnë njerëzve shantazh i cili na sjell në një pozitë të rrezikshme. Prandaj nuk i organizojmë ashtu tubime klasike, por thjesht mundohemi t’i takojmë qytetarët”, thotë Rashiq.
Partnerët e koalicionit që po provojnë ta fitojnë të drejtën për t’i përfaqësuar serbët e Kosovës janë quajtur “tradhtarë” nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fjalët dhe mekanizmat e Vuçiqit, sipas kreut të Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, shkojnë deri në dhunë fizike.
“Ai (Vuçiq) thotë që jemi tradhtarë. Nëse janë tradhtarë ata që i mbrojnë interesat e serbëve të Kosovës; nëse janë tradhtarë sepse thonë që ne duhet ta marrim rol në procesin e dialogut dhe pajtimit me popullin shqiptar; nëse thotë tradhtar sepse jam qe 18 vjet në institucionet e Kosovës dhe që kam qenë ministri më i devotshëm që kam punuar për të gjithë pa dallim; nëse thotë ai që në atë aspekt jam tradhtar, atëherë unë jam tradhtar. Në anën tjetër, ai nuk thotë vetëm fjalë, ata kanë përdorur të gjitha mekanizmat tjerë zyrtare dhe jozyrtare që ta marrin një fitore këtu dhe kjo vjen deri në absurd, ku jo vetëm që kemi shantazhe, kërcënime, por kemi poashtu edhe dhunë fizike në fund të fundit. Do të thotë që këto fjalë që ai i thotë, i realizon përmes mekanizmave të ndryshme. Aty është problemi kryesor”, thotë Rashiq.
“Dje kemi bërë fushatë por jo tubime. Ne kemi pasë vizitën e zonjës Trajkoviq në vendin ku është vra zoti Ivanoviq. Ka qenë në një mënyrë një shembull që të mos harrojmë se me çfarë çmimi mund të paguhet politika këtu te ne”, shton Rashiq.
I gjendur në këtë situatë dhe gjysëm i bindur se propaganda e Listës Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit do të ketë sukses edhe njëherë, Rashiq i ka kthyer sytë kah shqiptarët. Ai tha se që nga nesër do t’ua kërkojë votat edhe shqiptarëve të Kosovës.
“Po ju tregoj ekskluzivisht: unë nesër kam me i realizu disa video-incizime të cilat do të jenë në gjuhën shqipe për t’i dhënë motivim në qoftë se është e mundshme qytetarëve shqiptarë, sepse konsideroj se së pari kam të drejtë dhe kam një shembull të bashkëjetesës që zgjati qe 46 vjet, në formë që të mund ta plotësojkmë demokracinë, të mund ta thjeshtojmë demokracinë, duke kërkuar prej nesër votën e shqiptarëve. Kjo në botën demokratike është normale. Unë po e sfidoj në një formë demokracinë kosovare duke kandiduar. Nëse ju kujtohet, kam qenë i vetmi kandidat serb për kryeministër, edhepse unë e kuptoj që kjo nuk është reale, por në anën tjetër po dëshiroj që të tregoj që jam i barabartë, dëshiroj t’u tregoj qytetarëve që kemi të drejtë ta respektojmë njëri-tjetrin. Kështuqë do të provoj që ta marr një forcë, një ndihmë, një mbështetje prej qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Rashiq.
Ai nuk heziton ta provojë edhe këtë mënyrë për të gjetur sado pak vend në demokracinë e Kosovës. E pavarësisht rezultatit, Rashiq thotë se do t’i respektojë njësoj shqiptarët.
“Unë tërë karrierën kam punuar si ministër i të gjithëve ose si deputet i të gjithëve. Nuk mund të supozoj se çfarë do të ndodhë, por një gjë është e sigurt: do të shohim me të 6-in ose 7-in a do të mund ta kem në dorë suksesin në këtë aspekt apo jo. Përndryshe, sidoqoftë, si të më votojnë, si të mos më votojnë, shqiptarët janë bashkëqytetarët e mi dhe unë do ti respektoj jo vetëm sot, por edhe pas 6 tetorit”, thekson Rashiq.
Duke kujtuar parregullsitë në komunat ku kandidonte Lista Serbe në vitin 2014 dhe 2017, Rashiq duket se e ka humbur shpresën për pak demokraci edhe në ndërkombëtarët. Ai kujton një zhgënjim në raport me ta nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Sikur në vitin 2014, sikur në vitin 2017, unë kam qenë në kontakt me vëzhgues të cilët ishin të deleguar nga BE-ja. Ata kanë qenë shumë aktivë 2-3 javë para zgjedhjeve, por në ditën e zgjedhjeve nuk ma kanë hapur telefonin asnjëri prej tyre. Prandaj kam rezerva fatkeqësisht, kam rezerva, sepse jo që nuk duan të bëjnë punën e vet, por nuk dinë ta bëjnë punën e vet. Sepse njerëzit janë të papërgatitur, vijnë këtu për një javë dhe mendojnë që mund ta vëzhgojnë komplet një proces zgjedhor siç e kemi ne serbët këtu”, thotë Rashiq.
Kjo, sipas tij, është arsyeja pse ai është skeptik se mund të ndryshojë diçka për serbët në këto zgjedhje që do të mbahen më 6 tetor
Discussion about this post