Unë kam qenë ithtar i një koalicioni ndërmjet VV-së dhe LDK-së shumë më përpara se kjo aktualisht të merrte dhenë. Mendoja se do të ishte një qeveri e mirë e “check & balancës” ndaj njëra-tjetrës. Ranë këto zgjedhje dhe ne u ndamë. Unë tashmë nuk besoj në këtë koalicion. Këtij zhgënjimi tim i bashkëngjiten edhe mijëra qytetarë, të cilët i votuan ndryshimet e jo ushqimet e egove të metuzalemëve politikë.
Shkruan: Asdren Rrahmani
Dhjetor i ftohtë. Unë dhe ditari im do t’ju shoqërojmë përsëri me përcjelljen e kabllogrameve më të fundit diplomatike nga vendi dhe bota.
Ditëve të fundit vazhdohet me sagën e takimeve për marrëveshjen e koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dje ishte takimi i radhës ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës. Edhe në këtë takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për koalicion, dhe thembra e Akilit mbetet kërkesa e LDK-së për të pasur pozitën e presidentit të Kosovës në vitin 2021.
Unë kam qenë ithtar i një koalicioni ndërmjet VV-së dhe LDK-së shumë më përpara se kjo aktualisht të merrte dhenë. Mendoja se do të ishte një qeveri e mirë e “check & balancës” ndaj njëra-tjetrës. Ranë këto zgjedhje dhe ne u ndamë. Unë tashmë nuk besoj në këtë koalicion. Këtij zhgënjimi tim i bashkëngjiten edhe mijëra qytetarë, të cilët i votuan ndryshimet e jo ushqimet e egove të metuzalemëve politikë. U deshën 6-7 takime që këto dy parti t’i përafronin programet qeverisëse të tyre. Kjo gjë bëri që edhe kjo të ishte një risi në botën politike kosovare, ku marrëveshjet e tilla nuk u bënë në pecetën e tavolinës së ndonjë restoranti 10 minuta në 12:00. Problematike na dolën takimet e dy krerëve të këtyre dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, për ndarjen e resorëve, e sidomos insistimi i LDK-së që të merren vesh për postin e presidentit.
E gjitha kjo më ngjan në ato takimet e aranzhuara të çifteve, ku vajza del në takim me një djalosh për hatër të familjarëve të cilët e kishin propozuar këtë djalë për të, por thellë në zemër ajo është në dashuri me dikë tjetër.
Përvoja diplomatike ma thotë se kjo kërkesa për pozitën e presidentit është analogji me këmbët e arushës, dhe aty fshihet diçka më shumë, sepse vetëm posti i presidentit nuk po e lejon logjika që të mos kuptohet se VV-ja nuk është në pozitë që të garantojë pozitën e presidentit për LDK-në. Përse këto lojëra? Mospajtimet përbrenda LDK-së i hidhen VV-së në tavolinë si kushtëzim i koalicionit vetëm për të pasur arsyetim para elektoratit të tyre se nuk ishim ne ata të cilët nuk e deshëm marrëveshjen. Këto mospajtime përbrenda LDK-së e zgjodhën Isa Mustafën kryetar të saj si një masë e përkohshme preventive të përçarjes së partisë prej apetiteve politike të ujqërve të vjetër politikë të cilët mrizojnë aty.
Ajo çka më bën të ndihem i zhgënjyer është qasja e politikanëve të brezit të ri përbrenda LDK-së. Fatkeqësisht, nuk po shoh asnjë ndryshim dhe energji të re nga ana e tyre, përveçse të vënit e tyre në shërbim të metuzalemëve politikë. Vjosa Osmani u shfrytëzua për mrekulli për vjeljen e votave në emër të LDK-së, ndërsa ajo sa i përket partisë së saj është diku aty në margjinat partiake, si një “humbëse” e zgjedhjeve ku ajo ishte e nominuara e partisë për kryeministre.
Sinjale të ndryshme i ishin dërguar LDK-së qoftë nga ambasadorët e ndryshëm në Kosovë, siç ishte rasti kur ekselenca e tij, ambasadori i SHBA-së, Kosnet, i ftoi në darkë Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Ftesë në Berlin gjithashtu morën Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e jo metuzalemët e tjerë.
Në anën tjetër e patëm kabllogramin nga Tirana, ku në një konferencë të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, në restorantin e një 15-katëshe shihen ulur afër njëri-tjetrit Xhelal Sveçla dhe Marko Gjuriq. Vetëm 3-4 ditë para kësaj konference, Marko Gjuriq e edhe Aleksandar Vuçiq e mohuan masakrën e Reçakut, e cila u cilësua si krim ndaj njerëzimit nga ambasadori i OSBE-së i asaj kohe në Kosovë, z. William Walker. Unë nuk dëshiroj ta gjykoj as patriotizmin e as atdhetarizmin e z.Sveçla, por sikur të isha unë, nuk do të ulesha me atë person në të njëjtën tavolinë.
Jo për të pirë kafen apo drekuar. Në konferencë mund të jenë të caktuara vendet me emrat e pjesëmarrësve, por në kohë pauze nuk e besoj një gjë të tillë. Nuk ishte ajo gala drekë mbretërore me protokoll aq strikt. Kam qenë edhe vetë pjesëmarrës në disa konferenca, dhe kohën e drekës askush askujt nuk i cakton vend se ku të ulet, prandaj ai arsyetim ishte paksa banal, dhe në të kaluarën Vetëvendosje ka kritikuar këdo për takimet me këto figura të politikave të mbrapshta të Serbisë ndaj Kosovës.
Kabllogrami i radhës zbulon se presidenti Hashim Thaçi ka caktuar datën e 24 dhjetorit për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës. Kjo datë paksa më la shije të hidhur në kujtesën time nga po i njëjti njeri. Vitin e kaluar ishte ajo ditë kur presidenti Thaçi për pak sa nuk na futi aventurave për anulimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila tashmë është obligim kushtetues i Republikës së Kosovës. A po e pret Hashimi ringjalljen e hasreti Isës në këtë datë, apo çka, nuk po e di.
Sipas të gjitha gjasave, rruga në të cilën kemi hyrë si shtet edhe si shoqëri nuk do të jetë aspak e kollajshme. Formimi i Qeverisë do të jetë vështirë i arritshëm sivjet (edhe sikur të ketë marrëveshje ndërmjet VV-së dhe LDK-së). Qeveria e re nuk do ta ketë mundësinë e planifikimit dhe votimit të buxhetit për vitin 2020, por do t’i trashëgojë nga Qeveria në largim, gjë e cila do të vështirësojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë sipas marrëveshjeve dhe programeve qeverisëse. Pastaj vijnë bisedimet me Serbinë, e edhe ajo së shpejti do të hyjë në periudhën e zgjedhjeve të brendshme të saj.
Problemet e grumbulluara në arsim, shëndetësi, ekonomi e bujqësi kërkojnë qasje dhe përkushtim të menjëhershëm. Kosova definitivisht nuk e ka luksin e pritjes për lojërat dhe ngopjet e egove të politikanëve kushdo qofshin ata. Populli iu dha mandat për një qeverisje ndryshe, jo për kalkulime e kapriçio partiake dhe ego individuale.
Sa më përket mua, tashmë kam çuar dorë nga besimi në këtë koalicion. Pritjet edhe shpresat i kam pasur të mëdha për një qasje së paku ndryshe për këtë Kosovë, të cilën korrupsioni, nepotizmi edhe klientelizmi e kanë plaguar aq rëndë. Mua më është vjedhur pjesa më e bukur e rinisë e edhe e fëmijërisë nga një sistem i poshtër i aparteidit serbomadh, por tashmë fajtorët jemi vetë ne. Askush nuk na ka ndaluar që të rregullonim funksionimin e dikastereve qeveritare. Por si të rregulloheshin ato, kur personat e votuar edhe të emëruar në poste publike të vetmen gajle e kishin si ta vidhnin këtë shtet, si të pasuroheshin brenda natës.
Ky shtet është duke falimentuar totalisht dhe fajtorët kanë emra edhe mbiemra. Të gjithë ata të cilët qeverisën me ketë vend 20 vjetët e fundit, apo që nga viti 2008 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Dhe disa nga protagonistët e dështimit 20-vjeçar ende kanë kurajën të qesin kushte e të kushtëzojnë koalicione për pozitat për të cilat as nuk kanë dalë në zgjedhje. Ky vend është duke shkuar për dreq të mallkuar, ndërsa populli rri dhe bën sehir.
U manipuluan, u rinumëruan, u helmuan e u kontaminuan kutitë e votimeve. U deshën më shumë se 2 muaj që të numëroheshin votat dhe të bëhej çmos që të futeshin NISMA dhe AKR-ja në Kuvend, vetëm që të zbehej fitorja e Vetëvendosjes dhe të zvogëlohej numri i deputetëve të saj në Kuvend. Jo se VV-ja janë engjëj e të pafajshëm në gjithë këtë katrahurën e zgjedhjeve. Ata gjithmonë i kanë kundërshtuar votat e ardhura nga Serbia, ndërsa në këto zgjedhje dërguan ankesë në Gjykatën Supreme për numërimin e tyre. Diqysh parimet politike në Kosovë janë me korrespondencë, atëherë kur mua më konvenon është kështu, mirëpo kur mua më nuk më konvenon, atëherë është kështu.
Prandaj të nderuarat VV dhe LDK, rruga e ime për përkrahjen e koalicionit tuaj përfundon këtu. E mbaj ndërmend se isha i ri, refugjat në Angli dhe dilja që të kërkoja punë duke trokitur nga restoranti në restorant. Më vete thosha ishalla nuk gjej punë, sepse atë punë kurrë nuk e desha. Pikërisht ashtu jeni duke u sjellë edhe ju, por dallimi qëndron se ju e lutët dhe e përgjëruat elektoratin tuaj që t’ju votojë, sepse ju do të ishit ata të cilët do t’i sillnit ndryshimet aq të nevojshme të këtij shteti të përvuajtur.
Nesër janë zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk dua të votoj. S’dua të bëhem pjesë e kurrfarë cirkusiade. Jo në emër timin. Ky ditar sot do të kishte një ton shumë më të rreptë, sikur të kisha votuar edhe në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Prandaj si një jovotues pata konsideratë.
Discussion about this post