Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj një publikimi të një lajmi nga mediat se Haki Raqi, njëri nga kandidatët e LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, vite më parë e ka pranuar që ka kryer korrupsion.
“Raqi vite më parë e ka pranuar që ka kryer korrupsion. Kjo pasi që rreth katër vjet me parë Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzonte Raqin dhe tre zyrtarë të tjerë të Komunës se Obiliqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, shkruan ndër tjerash të publikuar nga Koha.net.
Në këtë drejtim, Mustafa ka thënë se çdo kandidat i LDK-së që identifikohet se ka pasur dhe ka problem me ligjin, do të nxirret nga lista për deputetë të LDK-së.
“Do të veprohet sipas ligjit edhe për z. Raçi, për të cilin ka raportuar Koha Net”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën prej 110 kandidatëve të cilët priten të kandidojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ndërkohë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se lista për deputetë e LDK-së përfaqëson kandidatët që janë propozuar nga çdo cep i Kosovës, të cilët kanë marrë përkrahjen e të gjitha organeve të LDK-së, atyre lokale dhe qendrore. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post