Medreseja e Tiranës që u emërtua Mahmud Dashi pas rihapjes së fesë pak nga pak po i afrohet 100 vjetorit të themelimit, porse ky institucion tejet vital për të gjithë ne, nuk po dallohet nga ndonjëra prej shkollave të tjera të mesme në kryeqytet.
Shkruan: Roald A. Hysa
Madje drejtuesit e saj e kanë futur në një garë të paprecedent me gjimnazet dhe shkollat e tjera të mesme në Tiranë, duke e humbur dallueshmërinë historike që ka ky institucion në përgatitjen e hoxhallarëve shqiptarë. Një realitet i dhimbshëm ky prej disa vitesh, ku tashmë nuk dimë që ndonjëri nga këta medresistë të pas viteve 2005 të jetë i testuar si një hoxhë klasik.
Medreseja e Tiranës është një gur i çmuar i kurorës së themeluesve të saj në vitin e largët 1923, pra të Haxhi Vehbi Dibrës, Hafiz Ali Korçës dhe të shumë patriotëve të tjerë, të cilët sakrifikuan mundin, djersën e gjakun e tyre për ta pasur këtë institucion, jo vetëm ata, por edhe për brezat në vijim. Në një shkrim të revistës Zani i Naltë vërehej se Medreseja dhe programi i saj “ka marrë rrugën e saj normale”, porse autoritetet e larta të Komunitetit duhet të shpejtojnë veprimet për themelimin e ndërtesës së saj (Zani i Naltë, VI, nr. 9-10, gusht-shtator 1930, fq. 1122). Shumë shpejt Medreseja do të pajisej me një godinë moderne për kohën, të cilën e trashëgon edhe sot, ku në inaugurimin e kësaj ndërtese në vitin 1930 do të merrte pjesë edhe Mehdi Frashëri si përfaqësues i Qeveris së kohës dhe do të shfaqte kënaqësinë e tij personale për këtë arritje të KMSH.
Rëndësia e kësaj shkolle për Tiranën dhe të gjithë muslimanët vërehet edhe kur regjimi komunist ndërhyri dhe kërkoi ta ndalonte nga funksionimi, por ishte përpjekja titanike e Hafiz Musa Ali Bashës, i cili ia doli që Medreseja të vazhdojë me nxjerrjen e kuadrit fetar, ashtu të cunguar në programet e veta deri në vitin 1964, kur komunistët e mbyllën dhe ia dogjën bibliotekën Medresesë pikërisht në sheshin përpara godinës. Hafiz Ismet Dibra, drejtori Medresesë, së bashku me profesorët e saj të nderuar H. Ibrahim Dalliu, Jonuz Bulej, Hasan Tahsini, Vexhi Buharaja e shumë emra të tjerë u burgosën dhe u persekutuan për ta mbajtur frymën e fesë tonë të gjallë në këtë institucion të shenjtë për të gjithë muslimanët shqiptarë.
Rihapja e Medresesë në xhaminë e Kokonozit në vitin 1991 tregon për vullnetin e fortë dhe largpamësinë e grupit nismëtar të kohës, për brezin e ri të hoxhallarëve që nevojitej dhe sfidat e reja që e prisnin. Nga ato breza të pas 1991 kemi sot edhe hoxhallarë me emër, të cilët përplasen me përditshmërinë dhe përpiqen ta këshillojnë drejt së mirës popullin tonë. Mirëpo këto vitet e fundit marketingu i Medresesë konsiston në gara olimpiadash vendore e ndërkombëtare për matematikë, fizikë e kimi, por në asnjë garë këndimi apo mësimi përmendësh Kurani, nuk dimë që ndonjëri nga këta “gjimnazista” të Medresesë të paraqitet në ndonjë nga xhamitë e Tiranës për xhuma, e të mbajë një vazë, siç edhe ka ndodhur më herët.
Pra, këta nuk janë aspak kandidatë për imamllarë, apo muezinë, apo të vazhdojnë studimet e larta për të qenë kuadro të larta fetare. Medreseja e Tiranës nuk dimë deri tani të ketë nxjerrë ndonjë hafiz, megjithëse formalisht mban emrin e Hafiz Mahmud Dashit, i cili ju mësonte Kuranin medresistave. Ngjan më tepër me një gjimnaz laik se sa me një shkollë ku mësohet Kurani e Hadithi. Medreseja me sa duket duhet të ndërrojë emrin, fatkeqësisht…