
(Blasfemuesit e profetit nën strehën e lirisë!)
Shkruan: Driton Arifi
S’mund të vëjmë asnjë të zezë mbi të bardhën në këtë trajtesë me shkas, pa vënë në pah bindjen tonë të thellë se vrasësit e mësuesit në Paris, kanë të bëjnë me Islamin, po aq sa kanë të bëjnë karikaturat blasfemuese me lirinë e shprehjes e të mendimit. Kjo, dhe rastet e ngjashme, të vrasjeve në emër të Islamit, gjithnjë na rrëfejnë se sa është thelluar pellgu në mes të disa myslimanëve dhe mësimeve të pastërta të Islamit. Vrasja dhe vrasësit e tillë, edhe duhet gjykuar, por jo Islami. Islami, nuk i ka borxh askujt që të distancohet prej të tillëve, sepse kurrë të tillët nuk i ka strehuar e as veprimet e tyre kurrë nuk i ka aprovuar! Ata vranë në emër të mbrojtjes së profetit, i cili profet shenjtëroi jetën mu në siujdhesën ku jeta e njeriut nuk vlente asgjë. Edhe karikaturistët blasfemuan e ofenduan në emër të lirisë. Po, për ç ‘liri është fjala!? Ç ‘domethënie ka liria për njeriun? Sa sakrifikoi njeriu për realizimin e saj?
Liria është ajo që e bëri njeriun të zhvillojë beteja e luftëra për realizimin e saj. Beteja e njeriut për liri është po aq e vjetër edhe fisnike sa është edhe vet beteja e tij për ekzistencë. S’është hiç paradoksale, që po ky njeri, gjithnjë qe i gatshëm të flijojë edhe jetën e tij, e të pranojë që të mos ekzistojë fare nëse ai humbë shpresën, apo është i bindur se nuk do të triumfojë në betejën e tij për liri.
Liria, për më tepër, mbetet njëra ndër aspiratat më të dëlira dhe njëra prej ëndrrave më të këndshme me të cilën i gdhijnë mëngjeset e tyre të gjithë liridashësit e vërtetë. Shoqëritë liberale, konsiderojnë se arritja më madhështore dhe hapi më gjigant i realizuar nga ithtarët e vet, është garantimi i lirisë, me të gjitha segmentet e saja, si ajo; e shprehjes, besimit, veshjes, lojalitetit ndaj cilësdo ideologji, apo liria e zgjedhjes dhe e mënyrës së jetesës.
Pista e parë që me shkas, doemos na tërheqë të ndalemi në këtë vrojtim tonin analitik, është ajo e lirisë së shprehjes e të mendimit. Kjo pistë, edhe sot, por njësoj ishte edhe në të kaluarën, ka qenë fusha më e pëlleshme e ndezjes së debateve të fuqishme me natyrë ideologjike, fetare apo edhe filozofike, të cilat kanë filluar qëmoti, e duket se s’do kenë të ndalur sa të ketë frymë njeriu në tokë.
Nën strehën e lirisë së shprehjes e të mendimit, strehonin të gjithë ata që thërrasin e propagandojnë për ide, teori e botëkuptime të ndryshme qofshin ato edhe tejet kontraverse për shoqëritë ku ato plasohen. Madje, në kuzhinat e liberalëve “ortodoksë” është gatuar edhe ai brumi i nëpërkëmbjes e injorimit pezhorativ të të gjitha vlerave e trashëgimisë kulturore e tradicionale të popujve gjithandej nepër botë. Aty, “befasisht” gjetën tharmin e tyre ideologjik edhe ata që me vetëdije hynë në vorbullën e ofendimit, blasfemisë e të ironizimit me parimet, simbolet dhe personalitetet e figurat emblematike e fetare të të gjithë popujve, ndoshta me theks të veçantë ato të myslimanëve. Në emër të po kësaj lirie, krejt “pafajsisht” gjejmë që bëhet botimi e shpërndarja e pakursyer dhe e përsëritur e karikaturave dhe pamjeve të ulëta e të padenja të profetit të fundit të Islamit-Muhamedit (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të). Se a ishte ai i denjë për t’u portretizuar i Dërguari ynë-Muhamedi, në formë ofenduese e fyese, këtë na rrëfejnë edhe mendjendriturit e po të njëjtit vend nga na vijnë edhe karikaturat, ani pse të njëjtit kurrë atij s’i besuan.
Alphonse de Lamartine, shkrimtar dhe politikan eminent francez, i mahnitur me personalitetin e Muhamedit, patë thënë: “Nëse madhështia e qëllimit, thjeshtësia e të menduarit dhe rezultatet e arritura janë tre kriteret e gjenialitetit njerëzor, kush do të guxonte të krahasonte dikë tjetër në historinë njerëzore me Muhamedin? Muhamedi ishte rrëzuesi i zotave të rremë, themelues i një ideje të re me anë të fjalës, filozof, orator, mësues, burrë shteti, luftëtar i një çështjeje të madhe, predikues i një besimi të arsyeshëm dhe të adhurimit pa fotografi, themelues i 20 perandorive territoriale dhe të një shpirtëroreje. Ai ishte Muhamedi. Duke marrë parasysh të gjitha kriteret që duhen për të matur madhështinë njerëzore, njeriu me të drejtë mund të pyesi: A ekziston ndonjë njeri më madhështor se ai?” Duke lexuar madhështinë dhe jetë përshkrimin mahnitës të tij, ndaheshin të pangopur të gjithë ata që ia mësynë ndryshimeve rrënjësore në shoqëritë e tyre. Gandi, lideri reformator indian, pas përfundimit së lexuari të historisë së profetit Muhamed tha:” …Kur mbarova volumin e dytë ( të biografisë së Profetit), më erdhi keq që nuk kishte më për të lexuar për jetën madhështore të tij…”. Pra, nga karikaturat e portretizimet denigruese ndaj Muhamedit (paqja e Zotit qoftë mbi të) do të ndiheshin të ofenduar, jo vetëm pasuesit besnikë të tij, jo vetëm ne që besojmë në dëlirësinë dhe çiltërsinë e personalitetit e qëllimeve të tij, por ngjashëm do të ndiheshin të ofenduar edhe ata mendjendritur që kurrë s’i besuan librit dhe misionit të tij, por nuk u kursyen dhe e përshkruan hapur madhështinë e personalitetit të tij. Lista e tyre është e gjatë, dhe ata vijnë nga vende e profile të ndryshme. Në këtë listë gjejmë emrat e kolosëve si; Alphonse de Lamartine, Gandi, Becon, Michael H. Hart, James A. Michener, Montgomery, Bernard Shaw, Bosworth Smith, Edward Gibbon and Simon Ocklay e të tjerë, lista e të cilëve nuk përfundon dot. Të gjithë këta, edhe shumë të tjerë të rangut të tyre, rrëfyen etjen e tyre që të njihnin më tepër detajet e jetës së tij, dhe nuk ngurruan që të shfaqnin mahninë e tyre me figurën e pakrahasueshme të tij.
Imagjinojeni, ai u ofendua dhe mbi të u hodhën një sërë blasfemishë të ulëta, në emër të lirisë së shprehjes e të mendimit, kurse vet ai, dhe më shumë se kushdo tjetër, ia kushtoi tërë jetën realizimit të lirisë së vërtetë dhe çlirimit e njeriut nga prangat e cilitdo despot, dhe kthetrat e cilësdo bestytni. Liridashësit, nëse janë vërtetë të tillë, do të duhej t’i thurnin elozhe Muhamedit (paqja e Zotit qoftë mbi të) e ta merrnin atë si një ikonë të pakrahasueshme të humanizmit botëror, dhe si dhe ta konsideronin realisht njërin prej liridashësve më madhështor që ka njohur historia njerëzore.
Por, mos të harrojmë, sikur të gjitha konceptet e shëndosha, e të gjitha parimet e idealet sublime, edhe liria, mund të shtrembërohet e të shpërfytyrohet, ashtu si s’bën më keq, nga vet ithtarët e dishepujt naivë të saj.
Porse, kjo liri do të ishte më e denjë sikur të quhej liri e përdhosjes së vlerave, e ofendimit dhe blasfemisë se sa liri e shprehjes e mendimit. Për këtë liri le të luftojnë ata, por jo ne. E në fakt për këtë të drejtë, nuk do të luftonin kurrë as liridashësit e vërtetë. Ne, përtej kësaj thërrasim që të krijojmë një balancë në mes të drejtës së individit në njëren anë dhe kohezionit social në anën tjetër. Sikur këtë dëshiroi ta thotë edhe një erudit mysliman, Muhamed K., kur ai tha:” …tek çdo person normal, ekziston tendenca që të gëzojë lirinë dhe ndjenjën e individualizmit specifik, e të unit personal, por krahas kësaj edhe ndjenja e integrimit në grup shoqëror dhe në sistemin e jetesës së tyre bashkë me ta, e prej këtyre dy ndjenjave formohet edhe vet jeta e njeriut. Kështuqë, njeriu nuk është thjesht një puro individ, por ai, as nuk është një qenie e shkrirë dhe e asimiluar në tërësi në shoqërinë e tij”.
S’janë të paktë skeptikët, e kritikët që këtë liri të shpërfytyruar, e këtë hapsirë të palimituar të lirisë e shohin me rezerva të mëdha. Që në epokën e hershme Aristoteli ishte tallur me idenë se njeriu i lirë mund të bëjë gjithçka që ai dëshiron, duke thënë:” Liri do të thotë që njeriu të bëjë atë që i pëlqen”, ky përceptim është vënë në gojën e atyre që nuk dijnë gjë se ç’është liria” Pra përceptimi anarkist i lirisë personale, që tenton të nepërkëmbë çdo rregull social është shqetësues, ngase si i tillë e krijon një imazh të gabuar për lirinë e mirëfilltë por edhe për sistemin që e mbron dhe e garanton atë- demokracinë. Edhe demokracia rrezikohet nga telallët aksidentalë e shpërfytyrues të saj. Për të mbrojtur demokracinë nga të tillët, u ngritën në këmbë edhe shumë intelektualë në perëndim, të cilët tërhoqën vërjetjen nga shtrembërimet e lajthitjet e konceptit parimor të demokracisë. E tillë ishte edhe, hulumtuesja e njohur amerikane Joan Ëallach Scott, e cila këmbëngulte duke thënë : Është vërtetuar se rreziqet më të mëdha demokracisë i vijnë nga “klerikët civilë”, nga ekspertët abuzivë, nga një pjesë e madhe e nëpunësve të shtetit të zhytur në privilegje, bosa me të drejta hyjnore, zyrtarë të moshuar arrogantë që kanë investuar në pikëpamjet e tyre sikur të ishin ato e vërteta e vetme…”. E po lirinë e duakan të gjithë, për të madje njeriu qe i gatshëm të flijojë më të shtrenjtën e tij-jetën. Por jo atë liri që është interpretuar e përvijuar në formë abuzive nga ata që e llogarisin vetvetën se janë etërit e ligjshëm dhe të vetmit që kanë marrë “të drejtën hyjnore” për zhbirimin dhe eksplorimin e margaritarëve të saj.
Po t’i dëgjojmë përceptimet e liberalëve ekstremë, na krijojnë përshtypjen që individi është ai që ka të drejtë të thotë e të bëjë çka të dojë, po sikur ai të jetonte në një ishull të izoluar, dhe atë pa praninë e asnjë anëtari tjetër nga lloji i tij.
Por mos të harrojmë një porosi, të njërit prej përvijuesëve të lirisë-Kantit i cili tha: “Kur çdo njeri të bëhet i arsyeshëm, atëherë edhe shoqëria do të bëhet normale”.
Përpjekja për të formuar njeriun e arsyeshëm është preokupim i çdo mendjendrituri, sepse vetëm me të tillët do të kemi një shoqëri normale e të shëndoshë. E në një liri të shpërfytyruar dhe pa limite fare, mund të formohet cilido njeri, por jo edhe ai i arsyeshmi. Këta të fundit i kemi deficit, sa për të parët kemi mjaft!