
Mes raporteve se presidenti rus Vladimir Putin i është nënshtruar një operacioni të kancerit, ish-oficeri i KGB-së dhe një ndihmë e ngushtë e liderit të Kremlinit, Nikolai Patrushev pritet të marrë kontrollin e vendit dhe luftën e vazhdueshme në Ukrainë.
Shkruan: Amir Shabani
Personaliteti në fjalë, që ka qenë njëri prej drejtuesve të ushtrisë, intelegjencës dhe sigurimit rus, Patrushev thuhet se është i besuari i ngushtë i Putinit. Ai është kreu i linjës së ashpër të Këshillit të Sigurimit dhe një ish-oficer i kundërzbulimit të KGB-së. Një pjesë e rrethit të brendshëm të Putinit, ish-shefi 70-vjeçar i spiunazhit thuhet se është truri i strategjisë së luftës në Ukrainë deri tani.
Sipas një raporti të medias britanike, Putini e konsideron Patrushevin si të vetmin person dhe mik të besuar në sistemin e pushtetit, gjë që shpjegon se atij iu dorëzuan frenat e vendit në vend të kryeministrit 56-vjeçar, Mikhail Mishustin. Vendimi u mor në një diskutim dy-orësh kokë më kokë midis Putinit dhe Patrushev. Thuhet se kryeministri Mishustin ishte anashkaluar për shkak të mungesës së lidhjeve të tij ushtarake ose të shërbimeve sekrete në të kaluarën.
Patrushev rezulton të ketë një ndikim të madh në politikën e qeverisë ruse, në cilësinë e kreut të Këshillit të Sigurimit të Rusisë. Këshilli është vendi ku formulohet politika ruse e sigurisë dhe qendra ku merren informacione nga burime dhe rrjetet e agjentëve jashtë Rusisë.
Patrushev është ai që i interpreton të dhënat që vijnë nga agjentët rusë nëpër botë teksa marrëdhënia mes tij dhe Putinit ka nisur më shumë se 50 vjet më parë, që i ka dhënë atij një ndikim të fortë mbi presidentin.
Patrushev është ideologu më i djathtë i Putinit dhe quhet “Skifteri i Skifterëve” brenda rrethit të brendshëm të presidentit rus. Patrushev, në intervista të ndryshme, perhap propagandën ruse, mbi tema si “synimet e liga të Perëndimit në përgjithësi dhe të Shteteve të Bashkuara në veçanti”. Ai e nxjerr Rusinë si shtetin që jo vetëm ka guxuar, por ka deklaruar publikisht se nuk do të luajë sipas rregullave të vendosura nga Amerika.
Putin dhe Patrushev njihen që nga viti 1970. Të dy vijnë nga Leningradi, (sot Shën Petersburgu), dhe kanë punuar bashkë në KGB-në e Leningradit në departamente të ndryshme. Po ashtu, që të dy shërbyen në qeverinë e Boris Jelcinit. Në vitin 1998, Jelcini e emëroi Putinin për të udhëhequr FSB-në, pasardhësin e KGB-së, ndërsa Patrushev u bë zëvendësi i tij i parë. Kur Jelcin e emëroi Putinin si kryeministër në detyrë më 9 gusht 1999, Patrushev zëvendësoi Putinin si drejtor i FSB-së. I emëruar në vitin 2008, Patrushev është bërë sekretari më jetëgjatë i Këshillit të Sigurimit.
Analistët besojnë se Patrushev shfaq rrezik shumë të madh për shkak mendësisë së tij të udhëhequr nga konspiracionet dhe kjo është thelbësore për të kuptuar Rusinë e sotme, sepse idetë konspirative të Patrushevit dhe këndvështrimi i tij mbi botën, janë thjerrëza përmes së cilës e sheh botën edhe miku i tij Vladimir Putin.