Mbrëmë është arritur një marrëveshje shumë e rëndësishme mes Turqisë dhe SHBA-ve.
Sipas kësaj marrëveshje, Turqia do të pauzojë operacionin antiterrorist në Sirinë veriore për të lejuar tërheqjen e YPG/PKK nga zona e sigurt e planifikuar, thuhet në deklaratën e përbashkët të Turqisë dhe SHBA-së pas arritjes së një marrëveshjeje në Ankara, shkruan AA, transmeton Gazeta Mejdani.
“Zona e sigurt do të zbatohet kryesisht nga Forcat e Armatosura Turke dhe dy palët do të rrisin bashkëpunimin e tyre në të gjitha dimenzionet e zbatimit të saj”, thuhet në deklaratën prej 13 pikash të publikuar pasi zyrtarët turq dhe amerikanë u dakorduan për largimin e terroristëve nga zona e sigurt e planifikuar, si dhe asgjësimin e pozitave dhe mbledhjen e armëve të tyre.
“Pala turke do të pauzojë operacionin ‘Burimi i Paqes’ në mënyrë që të lejojë tërheqjen e YPG-së nga zona e sigurt brenda 120 orëve. Operacioni ‘Burimi i Paqes’ do të ndalet pas kompletimit të kësaj tërheqjeje”, thuhet gjithashtu në deklaratë.
Turqia dhe SHBA po ashtu janë pajtuar që kushtet në terren, në veçanti në Sirinë verilindore, kërkojnë një koordinim më të ngushtë në bazë të interesave të përbashkëta.
“Dy palët u pajtuan për rëndësinë e vazhdueshme dhe funksionalitetin e zonës së sigurt në mënyrë që të adresojnë shqetësimet e sigurisë kombëtare të Turqisë, të përfshijnë rigrumbullimin e armëve të rënda të YPG-së dhe çaktivizimin e të gjitha fortifikimeve të tyre dhe të gjitha pozicioneve të tjera luftarake”, qëndron në deklaratë.
Deklarata e përbashkët thekson se kur të ndalet operacioni “Burimi i Paqes”, do të hiqen sanksionet amerikane.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.
Mediat turke shkruajnë se në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post