Nga: Nada Dosti
Shumica e tyre janë muslimanë, mijëra familje me origjinë të huaj dhe afërsisht 18,000 fëmijë të cilët janë grabitur nga vatra e familjare për t’iu dhurar disa të panjohurve, duke rrezikuar kështu të ardhmen e tyre. I gjithë pasqyrimi mediatike dhe denoncimet publike nisën atëherë kur këto familje vendosën të mbanin protesta çdo fundjavë në qytete të ndryshme të Suedisë.
Numri i familjeve që organizohen me thirrjen “Stop rrëmbimit të fëmijëve tanë” në Facebook po rritet dita-ditës, dhe tashmë ka arritur në një shifër prej 25 mijë anëtarësh të cilët jane pjesë e një grupi të quajtur“Barnets Rattigheter Dina Rättigheter Sverige”.
Në fillim ligji…
Dihet botërisht se vendet nordike kanë rregulla më strikte, e ndërsa Norvegjia dhe Finlanda kanë legjislacion specifik për mbrojtjen e fëmijëve (respektivisht Akti i Mirëqenies së Fëmijëve 1992 dhe Akti, 2007), Danimarka dhe Suedia kanë akte më të përgjithshme të shërbimeve sociale (Akti i Konsolidimit të Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Shërbimet Sociale, përkatësisht), të cilat mbulojnë fëmijët, të moshuarit, të paaftët dhe grupet e tjera që kanë nevojë për mbështetje sociale. Ndërsa aktet në Danimarkë, Finlandë dhe Norvegji mbulojnë të gjitha llojet e vendimeve për mbrojetje të fëmijëve, Suedia ka një akt specifik që mbulon vendimet pa pëlqimin dhe miratimin e prindërve (Akti i Kujdesit për të Rinjtë) (Höjer & Pösö 2021). Me fjalë të tjera, Suediа konsiderohet si vendi me ligjslacionin më të rënd në dëm të prindërve biologjikë. Argument për këtë është edhe fakti se të gjitha “shtëpitë strehim” fillimisht janë menduar të jenë të përkohshme dhe kanë synimi ribashkimin familjar, megjithëse vendosjet e përhershme janë të mundshme vëtëm në Suedi në kushte të caktuara (Höjer & Pösö, 2021; Karmsteen, Frederiksen, Mørch dhe Hestbæk, 2018). Megjithatë, të dhënat e praktikës së vendosjes nga të katër vendet tregojnë se shumë fëmijët kalojnë vite apo edhe të gjithë fëmijërinë e tyre në kujdesin jashtë shtëpisë së prindërve biologjikë.
Ndonësë nuk ka studime të mirëfillta që flasin për fenomenin e rrëmbimit që qëllimisht targeton familjet muslimane, apo familjet që vijnë nga vende muslimane, përkatësisht nga Lindja e Mesme, Azia, Afrika e Veriut apo Ballkani Juglindor, vetë legjislacioni po të analizohet me vëmendje duket targetues. Si i tillë, vendos në nivele krahasimore dy stereotipe të dëmshme: “prindër me besime fetare” dhe “prindër me arsim të lartë dhe profesione të profilit të lartë” si dy entitete që kundërshtojnë njëra tjetrën. Pra, një prind nuk mund të jetë edhe besimtar praktikant edhe i arsimuar ose profesionist i nivelit të lartë ose e kundërta:
“Nga përvoja jonë profesionale, ky ligj ka vepruar në dëm të prindërve të rinjë, prindërve të vetëm, me vështirësi ekonomike dhe arsimore, me probleme shëndetësore dhe prindër emigrantë, të cilët veçanërisht shenjestrohen nga punonjësit social. Gjithashtu prindërit me besime fetare dhe bindje filozofike, të cilat duket se nuk janë të pranuara politikisht, konsiderohen shpesh si prindër të papërshtatshëm, gjë që i shtyn punonjësit social të ndërmarrin vendime për t’i larguar fëmijët nga familjet e tyre dhe për t’i vendosur ata në shtëpitë kujdestarie. Megjithatë, edhe prindërit me arsim të lartë me profesione të profilit të lartë kanë përjetuar ndërhyrje të punonjësve socialë në jetën e tyre private dhe familjare.” (Report of NCHR, For the protection of Family Rights in the Nordic countries 2012/Raporti i NCHR për mbrojtjen e të drejtave të familjes në vendet nordike. 2012)
Po çfarë thonë vetë autoritet në lidhje me këtë?
Në një deklaratë të Ambasadës së Suedisë në Ankara u hodhën poshtë pretendimet se Shërbimet Sociale keqtrajtonin fëmijët muslimanë pasi disa raste u bënë publike në media.
“Një fushatë shumë agresive shpifjeje është duke u zhvilluar në rrjetet sociale, si në Suedi ashtu edhe jashtë saj, duke pretenduar se shërbimet sociale suedeze rrëmbejnë, burgosin dhe abuzojnë seksualisht fëmijët muslimanë. Ky informacion është natyrisht mashtrues. Qëllimi i tij i vetëm është të krijojë tension dhe të përhapë mosbesim. Shërbimet Sociale suedeze drejtohen kryesisht nga Ligji i Shërbimeve Sociale bazuar në parimin vullnetar ndërsa dispozitat plotësuese në ligjin për kujdesin ndaj të rinjve në raste të caktuara bëjnë të mundur vendosjen e masave pa pëlqim”thuhet në deklaratën e ambasadës suedeze ne Ankara[1]
Mirëpo siç e dijmë prej parimit të famshëm oruellian mbi ligjin dhe favorizimet që ligji iu bën disa më të privelegjuarve, duhet marrë parasysh edhe zbatimi i ligjit në praktikë dhe si ështe e mundur që kaq shumë familje po protestojnë për të njëjtën padrejtësi.
I ngjashëm është edhe rrëfimi i Z.A. Ajo është shiqptare nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Nënë e dy fëmijëve, një vajzë në mëshë madhore dhe një djalë të mitur, e divorcuar dhe, me vendim gjykate, përgjegjëse për djalin e vogël. Duke qenë grua e divorcuar dhe gjithashtu me aftësi të kufizuara (për shkak të një kufizimi në shikim) sipas ligjit vendas, vetë shteti i mundësoi përkrahje dhe mbështetje për përkujdesjen e fëmijës së saj, asokohe 3 vjeç e gjysëm.
Për të ndarë shpenzimet e qarës Z. ftohet nga një përkthyese, pjesë e procesit të mbështejes shtetëore, për të bashkëjetuar duke qenë se kjo e fundit jetonte vetëm. Dhe këtu nisin të gjitha peripecitë dhe një betejë e pafund në kërkim të të drejtave të zonjës Z.
Bashkëjetuesja e denoncon zonjën Z. duke aluduar se për shkak të kufizimit të saj nuk është në gjendje të kujdeset për djalin e vogël (4-vjeçar). Arsyetimi i parë për paralajmërim ishte fakti se djali i kishte dhëmbët e prishur dhe kjo për faj të nënës “së pakujdeshshme” e cila nuk e kishte çuar për kontrollet rutinë të cilat janë e drejtë e një fëmiu që të rrietet i shëndetshëm. Pas kësaj, nënë e bir janë dërguar në një shtëpi strehimi për t’u mbajtur nën mbikqyrje.
Nada Dosti: Si nisi e gjitha kjo ngjarje dhe a mund të na sqarosh hap pas hapi të gjitha shkaqet që çuan në vendimin final deri tek marrja e djalit e deri tek strehimi i tij në një familje provizore?
Z: Vendimi final u mor atëherë kur u pa se djali ulej pranë meje teksa po lexoja Kuran dhe ndonjë herë në përpjekje për të simuluar thirrjen e ezanit. Veprime këto të cilat interpretoheshin si shndërrim i fëmijës në një “terrorist” të ardhshëm nga ana e punonjësve sociale. Gjatë insuatave të tilla me të drejtë reagoja dhe ky reagimi im interpretohej si “një person agresiv i paqëndrueshëm emocionalisht për të rritur një fëmijë”.
Ndërkohë që pas vizitave rutinë tek edukuesi i prindërve dhe psikologu klinik, rezultati i këtyre vizitave ka qenë gjithmonë pozitiv. Sa herë jam konsultuar me të dy këta punonjës të shërbimeve sociale nëse ka diçka që nuk shkon në prindërimin tim apo në shëndetin tim mendor, që po të jetë nevoja që ta përmisoj vetëm e vetëm që të rimarr kujdestarinë e djalit më janë përgjigjur se asgjë e keqe nuk shkon tek ty, je në rregull dhe vazhdo kështu. Mirëpo, nga ana e palës tjetër janë ankuar se nuk gëzohem mjaftueshëm kur e takoj fëmijën, mirëpo këtë qëndrim e kam mbajtur qëllimisht sepse nëse do shprehja emocione të tepruara do më akuzonin se jam tepër emocionale. Kur ka pasur raste përshembull që jam mallëngjyer nga ndarja më kanë akuzuar se nuk jam mirë nga gjendja emocionale, dhe se këto emocione të mia mund ta çojnë në depresion djalin madje t’i shkaktojnë edhe trauma.
Në fakt janë familja e përkohshme të cilët me orientimet e tyre mund t’i shkaktojnë trauma djalit. Një herë, kur ka qenë pak më i vogël e kam parë që ka prerë gishtin, dhe kur e pyeta përse, m’u përgjigj që nga kurioziteti sepse kam parë që të dy burrat që e kanë në kujdestari përdornin brisk për të hequr mjekrën. Ose në disa raste të tjera djali ka kërkuar të më takojë gati çdo javë, mirëpo më kanë gënjyer se nuk do të më takojë aq shpesh, ose takimi i tepërt ndikon në shëndetin e tij mendor, por arsyeja e vërtetë është se takim javor kërkon shpenzime nga buxheti prej 7 mijë euro të cilën e përiftojnë këto familje si arsye e kujdestarisë së përkohshme. Iu kam kërkuar që djalit t’i blihet një celular dhe ta përdorë nën vëzhgimin e kujdestarëve që të mund të flas pak më shpesh me të, mirëpo më janë përgjigjur se kanë vendosur që fëmija të ketë celular vetëm kur do të mbushë moshën dhjetvjeçare.
Nada Dosti: Po avokati yt çfarë qëndrimi ka mbajtur dhe çfarë veprimesh keni ndërmarrë deri tani që të rifitosh kujdestarinë?
Z: Avokati më sugjeron që në mënyrë strikte të vazhdoj të marrë pjesë në konsultat dhe vizitat e detyrueshme të paracaktuara nga ligji qoftë me edukatorë prindërish qoftë me psikologun, gjëra që unë i kam aplikuar rregullisht. Këshilla e avokatit ka qëne gjithmonë që sa herë të paraqitemi në seancat gjyqësore të mos flas për të kaluarën, por të fokusohem tek ardhmja e djalit dhe çka është më mirë për të ardhmen e tij. Mirëpo, sa herë përpiqem ta bëjë këtë më përballin gjithmonë me veprime të mia në të kaluarën, arsye të cilat i përmenda më lart dhe që i kanë kthyer në shkaqe për të ma marrë djalin.
Çfarëdo që unë të bëj, sado që unë të përpiqem, rezultati do të jetë i njëjtë me fatin e qindra mijëra prindërve të tjerë të cilëve u janë rrëmbyer fëmijët e tyre nga duart.
Nada Dosti: Përse mendon se shteti suedez po ju bën padrejtësi në këtë rast, kur vetë shteti deklaron se këto janë ligjet vendase që ju vetë i keni pranuar me marrjen e leje qëndrimit ose të nënshtetësisë?
Z: Sepse shërbimet sociale veprojnë duke “manipuluar ligjet” sipas rastit, që vendimi përfundimtar të jetë në dobi të suedezëve. Psh. në rast se prindërit bilologjik jetojnë në qytet, si në rastin tim, një ndër arsyet shtesë për ta larguar këtë fëmijë nga streha e vetë, e cila rastësisht qëllon të jetë në periferi, mundësisht me ferma dhe kafshë, është se “fëmija ka nevojë të jetë në kontakt me natyrën, të eksperimentojë, të njohë botën e kafshëve, të rrijë larg teknologjisë e cila çon në varësi. Dhe e kundërta, në rast se prindërit biologjik jetojnë në periferi, atëherë femija “i rrëmbyer nga shteti” dërgohet në një familje pritëse në qytet me arsyetimin se duhet të integrohet në jetën urbane.
Nada Dosti: Cili është mesazhi yt për autoritet, për mediat dhe për shoqërinë civile?
Z: Mesazhi im është që autoritet të ndërgjegjësohen, të hulumtojnë dhe investigojnë më shumë për çështjen e nënshtetasve të tyre që jetojnë jashtë vendit, sepse këto fëmijë që po rrembehen janë mbi të gjitha fëmijë shqiptarë dhe duhet t’u gjejnë një zgjidhje këtyre familjeve. Ju bëj thirje dhe mediave si dhe organizatave të të drejtave të njeriut që të nxjerrin në shesh të vërtetat për mijëra fëmijë të rrëmbyer. Nëse nuk i beson fjalëve të mia dhe historisë time atëherë shkoni dhe hulumtoni më shumë për këto ngjarje. Nuk mund të flas në emër të familjeve të tjera muslimane që vijnë nga kultura të tjera si arabe apo turke, unë flas në emrin tim.
Ky është vetëm një rrëfim, ndër shumë denoncime të tjera që bëhen jo vetëm në rrjete sociale, por edhe nga mediat ndërkombëtare për të ndërgjegjësuar për një fenomen, dhe jo për raste sporadike. Shumica e punonjësve të institucioneve dhe individëve të lidhur me fenomeni në fjalë të cilët janë kontaktuar për këtë shkrim kanë refuzuar të prenoncohen sepse druhen. Shumë të tjerë vazhdojnë betejat e tyre të përditshme ligjore me shpresën e rikthimit të fëmijëve në strehën amësore.
Dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të ndërgjegjësojmë, të pretendojmë për drejtësi dhe të lutemi!
[1] https://www.aa.com.tr/sq/bota/familja-siriane-n%C3%AB-suedi-t%C3%AB-cil%C3%ABs-ia-mor%C3%ABn-f%C3%ABmij%C3%ABt-k%C3%ABrkon-ndihm%C3%AB-nga-presidenti-erdogan/2503044