
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh kandidat për kryeministër nga AAK-PSD, thotë se kundërkandidatët janë duke u nxituar për reciprocitet, ende pa marrë përgjegjësitë. Sipas tij, në këtë mënyrë Kosova po mbetet pa kundërvlerën e nevojshme, në mënyrë që të njihet nga Serbia.
Ai në një tubim elektoral me përkrahësit e koalicionit në komunën e Gjilanit, tha se nëse zhvillohet kjo komunë, atëherë do të ketë perspektivë edhe për Luginën e Preshevës.
“Nëse e zhvillojmë mirë këtë trevë, që nga Vitia e deri në Dardanë, atëherë ne ndihmojmë perspektivën tonë, me Kumanovë prej Vitisë dhe njëkohësisht e forcojmë bashkëpunimin tonë me Luginën, dhe jo vetëm kaq, por e mundësojmë që zgjidhja për jetë nuk është vetëm ardhja në Kosovë, por edhe shkuarja në Medvegjë, Bujanovc e Preshevë për të zhvilluar jetën, që të punohet, siç ndodh anasjelltas”, tha Haradinaj.
Në këtë mënyrë tha se mundësohet depërtimi deri te Lugina e Preshevës, pasi siç tha ai, nuk është zgjidhje vetëm sjellja e banorëve në Kosovë.
Krahas kësaj, Haradinaj tha se kundërkandidatët e tij janë nxituar me deklarimet për reciprocitet ende pa marrë përgjegjësitë.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti nga Gjilani është zotuar se 1/3 e ministrive në qeverisjen e ardhshme AAK-PSD do të jetë e udhëhequr nga gratë. Ai ka treguar se pse kanë përkrahur Qeverinë Haradinaj.
Presionet për ndarjen e Kosovës, sipas Ahmetit do të shtohen gjatë vitit, e sipas tij vetëm AAK mund t’i rezistojë këtij presioni.
Kryetari i Degës së AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu, tha se për dy vjet qeverisje, në Gjilan kanë investuar 170 milionë euro.
“Të tjerët për 20 vjet ishin në Parlament të Kosovës, 20 vjet në qeverisje, herë PDK, herë LDK, e herë dyja bashkë. E, i pyes se çfarë kanë bërë për qytetarët e Gjilanit, për kaq vite, për 20 vjet që kanë qeverisur me Kosovën”, tha ai.
Në programin e koalicionit AAK-PSD, Kadriu tha se është ndërtimi i pesë digave , njëra prej tyre i dedikohet Gjilanit për furnizim me ujë 24 orë.
Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës para gjilanasve tha se nëse ata janë për qind për qind shtet, dhe se taksa të mbetet në fuqi, atëherë duhet që më 6 tetor të votohet koalicioni AAK-PSD
Ahmeti Isufi, Besa Baftiu, Magbule Shkodra, Bajram Hasani, Salih Salihu, Lavdim Myrtaj, Samet Dalipi, Gëzon Kastrati, Faton Jakupi janë kandidatët për deputetë nga Gjilani, të përfshirë në listën zgjedhore nga koalicioni AAK-PSD.
Discussion about this post