Me 2 mijë euro gjobë u dënua ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Ai është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj. Për këtë vepër penale, gjyqtarja Alltën Mureli i ka shqiptuar Lushtakut dënimin me 2 mijë euro gjobë.
Por avokati Gazmend Halilaj nuk po pajtohet me këtë vendim të gjykatës. Ai thotë se kemi një shtet kriminal dhe vrasësit po motivohen për të kryer vrasje të tjera.
Ai ka paralajmëruar se këtë rastin me Sami Lushtakun do ta paraqes në Gjykatë Speciale. Halilaj përmes një postimi në Facebook, thotë se, ky rast ka të bëjë me vitin 1999. Ai madje ka thënë se do iu dridhet toka nën këmbë atyre që do të përballen me të. “Mos u shqetësoni vëllezër. Meqenëse kemi një shtet kriminal, kur vrasësit motivohen për të kryer vrasje të tjera, unë betejën juridike do e vazhdoj ne Gjykatën Speciale Holandë, pasi rasti ka të bëjë me vitin 1999.
Unë jam Gazmend Halilaj dhe kur të përballen me mue pranë kësaj Gjykate, do iu dridhet toka nën këmbë.
Unë kur themë e bejë, unë e mbaj fjalën”, shkruan Halilaj.
Sami Lushtaku po akuzohet se pas një shkrimi të të dëmtuarit Gazmend Halilaj, në rrjetin social “Facebook”, të datës 11 prill 2020, në të cilin pretendohej se Sami Lushtaku qëndron prapa keqpërdorimit të 1.4 milion markave gjatë kohës së luftës, ky i fundit e kishte thirrur në telefon Halilajn dhe i ka kërkuar që t’i heqë ato shkrime duke e sharë fyer dhe me qëllim të frikësimit e kishte kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardh me të kall nuk kam me lan”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.
Me këtë, Sami Lushtaku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 par2 të Kodit Penal.
Për këtë vepër penale, dënimi i paraparë është me gjobë ose me burgim deri në një vit.Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt./BotaSot/