
Turmat janë mbledhur në Stamboll, pasi “Hagia Sophia” hapet për lutjet e së premtes për herë të parë prejse autoritetet turke vendosën se mund të shndërrohej në një xhami, shkruan BBC-ja.
“Myslimanët janë të ngazëllyer, të gjithë duan të jenë në hapje”, tha guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, të enjten.
Vendi i trashëgimisë botërore UNESCO 1.500-vjeçare u bë muze në 1934-n, raporton “Zeri.info”.
Por një gjykatë turke anuloi statusin e saj, duke thënë se çdo përdorim tjetër, përveçse një xhami, nuk ishte “i mundur legalisht”.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan atëherë njoftoi se vendi me famë botërore do të ishte i gatshëm për lutjet e së premtes nga 24 korriku.
Masa u kritikua nga liderët fetarë dhe politikë në të gjithë botën.
“Hagia Sophia” u ndërtua si një katedrale e krishterë ortodokse dhe u kthye së pari në një xhami pas pushtimit osman nëntë shekuj më vonë, raporton “Zeri.info”.
Kishte një eksitim të konsiderueshëm derisa turmat u drejtuan për në vendin e UNESCO-s, por jo të gjithë ishin të lumtur. Partia laike e opozitës që e drejton Stambollin e përshkroi masën për ta kthyer atë përsëri në një xhami pas 86 vjetësh si politike e jo fetare.
Ndërtesa ikonike me kube ndodhet në rrethin Fatih të Stambollit, në bregun perëndimor të Bosforit, me pamje nga porti i Briut të Artë.
Historia komplekse e “Hagia Sophia”-s filloi pothuajse 1.500 vjet më parë, kur perandori bizantin Justiniani ndërtoi kishën e madhe në vitin 537.
Në 1453-n, në një goditje shkatërruese për Bizantinët, Sulltani Osman Mehmed II pushtoi Stambollin (dikur i njohur si Kostandinopojë) dhe “Sofia Hagia” – një katedrale e krishterë ortodokse – u shndërrua në një xhami për lutjet e së premtes, shkruan BBC-ja.
Katër minare u shtuan në pjesën e jashtme, ndërsa ikonat e zbukuruara të krishtera dhe mozaikë prej ari ishin të mbuluara me panele të kaligrafisë fetare arabe.
Pas shekujsh në zemër të perandorisë myslimane osmane u shndërrua në një muze në 1934-n, në një përpjekje për ta bërë Turqinë më laike.
Që nga ajo kohë është bërë një nga vendet më të njohura turistike të Turqisë, duke marrë më shumë se 3.7 milionë vizitorë vitin e kaluar, raporton “Zeri.info”.