Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala ka bërë të ditur sot gjatë një konference për media, se kanë marrë nga Instituti zviceran ekspertizën për rastin e Astrit Deharit.
Shala bëri të ditur se ende nuk dihet përmbajtja e saj.
Sot kemi pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit nga Instituti në Lozanë të Zvicrës. Nuk e dimë çka ka përbrenda, sot është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit. Ne këtë do t’ia dorëzojmë prokurorit të rastit që do ta hapë dhe do të dorëzohet për përkthim”, ka thënë Shala.
Por, pavarësisht kësaj, Tomë Gashi avokati i familjes Dehari u është drejtuar përmes një shkrese kryeprokurorit të shtetit dhe Prokurorisë në Prizren.
Dorëzimin e kësaj kërkese në Prokurorinë e Shtetit dhe Prokurorinë në Prizren, e ka konfirmuar për Telegrafin vetë avokati Gashi.
“Po e kam dorëzuar sot”, ka thënë shkurt Gashi.
Gashi ka kërkuar nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, një kopje të këtij raporti në gjuhën në të cilën është përpiluar.
Të njëjtën kërkesë Gashi ia ka përcjellë edhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala dhe prokurorit të rastit Metush Biraj.
Discussion about this post