Përkundër skepticizmit brenda institucioneve të Kosovës për suksesin e mundshëm për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të tërhiqet apo do të vazhdojë të insistojë që votimi për anëtarësimin e saj në këtë organizatë të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, që mbahet në gjysmën e tetorit të këtij viti në Kili.
Zyrtarët e zyrës së kryeministrit të Kosovës në largim, Ramush Haradinaj, nuk kanë dashur të japin ndonjë sqarim se cili është qëndrimi i këtij të fundit lidhur me atë se a duhet apo jo Kosova ta vazhdojë insistimin që të anëtarësohet këtë vit në INTERPOL.
Ata i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se procesin me anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL është duke e udhëhequr Ministria e Punëve të Jashtme. Por, as Jetlir Zyberaj, këshilltari i Ministrit të Jashtëm në largim, Behgjet Pacolli, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk ka dashur që të flasë lidhur me atë se cili është apo do të jetë vendimi i ministrit Pacolli.
Megjithatë, zëvendësministri në largim i Punëve të Jashtme i Kosovës, Anton Berisha, thotë se procesit drejt anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL duhet qasur me kujdes, për t’u mos përsëritur situata e njëjtë sikurse vitin e kaluar, kur Kosova kishte dështuar të anëtarësohet në këtë organizatë.
“Për momentin nuk kemi përmirësim të raporteve dhe kemi mbetur aty ku ishim vitin e kaluar. Vendimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin në organizata do të duheshin të respektoheshin prej Serbisë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, për shkak të pajtimit që të mos pengohet. Por, Serbia është duke e ndjekur rrugën e saj. Në anën tjetër, çdo aplikim ose çdo iniciativë që ka karakter ndërkombëtar, e bëjmë së bashku me partnerët tonë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Berisha.
Zëvendësministri në largim, Berisha, ka shtuar se Kosova nuk do të hyjë në procese politike multilaterale, pa u koordinuar me partnerët e saj ndërkombëtarë.
Tash për tash, sipas tij, çështja e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL gjendet në fazën e procedurave administrative dhe ende nuk është arritur te procesi politik.
“Por, ne nuk do ta sfidojmë Kosovën dhe as ta fusim në agjendat e shteteve që nuk e përkrahin pavarësinë e shtetit tonë dhe nuk e përkrahin zhvillimin e shtetit tonë. Prandaj, ne nuk do të bëjmë asnjë hap pa partnerët tonë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm në koordinim me ta, ne e vlerësojmë situatën dhe momentin në këtë vit, apo vitin tjetër ose kurdo që është momenti më i përshtatshëm”, u shpreh Berisha.
Në janar të këtij viti, Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për t’u anëtarësuar në INTERPOL dhe kjo kërkesë është pranuar nga kjo organizatë, që të procedohet për t’u futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila sivjet do të mbahet në Kili. Ndërkaq Angola do të jetë vendi raportues, i cili do të merret me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Të dyja këto vende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se dështimi për t’u anëtarësuar në INTERPOL, vitin e kaluar, në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate që u mbajt në Dubai, i ka shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha imazhit të Kosovës. Siç thotë ai, deri më tash nuk ka informacione që vërtetojnë se qëndrimet që kanë pasur vendet që kanë kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, të kenë ndryshuar.
“Nëse nuk ka ndonjë përparim substancial në pozicionin e Kosovës, në raport me vendet anëtare të INTERPOL-it e që do ta determinonte edhe suksesin e aplikimit, atëherë nuk mund të bëhet fjalë për insistim në këtë proces. Pra, është krejtësisht e palogjikshme, e papërgjegjshme që Kosova të hyjë në vallen e paqartësisë së madhe, e cila, sipas të gjitha gjasave, do të rezultojë edhe me një fiasko ndërkombëtare”, vlerësoi Muhaxhiri.
Një ditë pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës pati rritur taksën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga 10 për qind në 100 për qind. Kjo pati nxituar reagimet e autoriteteve të Serbisë, të cilat kanë refuzuar të vazhdojnë dialogun me Kosovën pa heqjen e kësaj takse.
Dështimi eventual i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, në këtë vit, sipas analistit Muhaxhiri, do të prodhonte pasoja edhe më të mëdha negative në të gjitha raportet Kosovë-Serbi, përfshirë edhe dialogun me Serbinë e që rrjedhimisht, mund t’i cenojë edhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Mendoj që nëse përsëritet ajo që ka ndodhur vitin e kaluar në Dubai, kjo do ta acarojë edhe më tepër situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo e fundit natyrisht që do ta shfrytëzojë këtë pafuqi dhe mungesë të përgatitjes nga ana e Kosovës. Pastaj, lufta retorike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të marrë edhe një hov të mëtejmë, duke e bllokuar dialogun edhe më tej dhe duke e larguar arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është kushti kryesor për normalizimin e rajonit tonë”, tha Muhaxhiri.
Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme./rel/Gazeta Mejdani/
Discussion about this post