Mejdani.com

Ish-ministri Agani i akuzuar në rastin ‘Stenta 1’ propozohet për president të Kosovës!

Ferid Agani
Ferid Agani

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i akuzuari në rastin “Stenta 1” për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është propozuar për president të Kosovës.

Agani është vlerësuar si i duhuri për pozitën e të parit të shtetit nga dega e Partisë së Drejtësisë në Gjilan.

“Prof. Dr. Ferid Agani, një personalitet i njohur, që rrjedh nga një familje patriotike, me potencialin e tij propozohet kandidat për pozitën e Presidentit për pesë (5) vitet e ardhshme nga ana e PD-së dega në Gjilan, dhe ky propozim i bëhet në mënyrë publike subjekteve të koalicionit, por edhe opinionit publik”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Në takim u tha se kriza në ekonomi, do të shkaktojë probleme sociale e politike.

“Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë, por edhe ajo politike sidomos kur është fjala për pozitën e Presidentit, do të gjenerojnë probleme sociale, politike, ekonomike dhe ato do të jenë aktive edhe për një kohë të gjatë”, u tha tutje.

Partia e Drejtësisë kërkoi nga koalicioni qeverisës NISMA-AKR-PD, që kandidati për president, të jetë kryetari i këtij subjekti politik, si personalitet që do të përfaqësonte qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme, kandidat me emër dhe me bagazh të gjatë politik.

“Ky trend i zhvillimit politik kërkon zgjidhje të shpejt kur është çështja te pozita e presidentit, në të kundërtën zgjedhjet janë të pashmangshme, dhe ato gjithsesi do të kenë efekte negative në buxhetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe mosplotësimit të nevojave të qytetarëve si institucione nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve si rezultat i moskonsensusit politik në raport me pozitën e të parit të vendit”, u tha gjatë takimit.