Gjykata Speciale dje ka publikuar aktakuzën e konfirmuar ndaj krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Në një pjesë të kësaj aktakuze ku pretendohet për krimet që kanë kryer krerët e UÇK-së, Specialja ka paraqitur katolikët si grup i veçantë, bashkë me serbët, ashkalinjët dhe romët.
Lidhur me këtë formulim të Speciales ka reaguar shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj i cili i takon besimit katolik, shkruan Telegrafi.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se formulimi i tillë është i marrë, puro politik dhe përbën një mega skandal, prandaj edhe duhet t’a shqetësojë secilin shqiptar, e veçanërisht shqiptarët katolikë.
“E vërteta është se shqiptarët – katolikë, myslimanë, protestanë dhe të pafe – së bashku kanë zhvilluar luftë për liri, pavarësi dhe demokraci, në atdheun e tyre autokton, ku janë shtypur e vrarë nga regjimi barbar i Serbisë. Një tendencë e tillë qartësisht ka prapavijë të rrezikshme politike”, ka shkruar Ukaj.
Postimi i plotë:
Si shqiptar katolik dhe si qytetar i këtij vendi ndjehem tmerrësisht i fyer dhe i ofenduar nga formulimet neveritëse të Gjykatës Speciale, në aktakuzën e së cilës kundër krerëve të UÇK-së, katolikët paraqiten si grup i veçantë, bashkë me serbët, ashkalinjët e romët.
Një formulim i tillë është i marrë, puro politik dhe përbën një mega skandal, prandaj edhe duhet t’a shqetësojë secilin shqiptar, e veçanërisht shqiptarët katolikë.
E vërteta është se shqiptarët – katolikë, myslimanë, protestanë dhe të pafe – së bashku kanë zhvilluar luftë për liri, pavarësi dhe demokraci, në atdheun e tyre autokton, ku janë shtypur e vrarë nga regjimi barbar i Serbisë.
Një tendencë e tillë qartësisht ka prapavijë të rrezikshme politike.
Sepse ne të gjithë e dimë se shqiptarët kështu dëshiron t’i paraqes vetëm Serbia.
Një pretendim i tillë është ahistorik, jo etik dhe më së paku ka të bëjë me drejtësi. Prandaj, asnjë shqiptar nuk duhet ta gëlltit këtë intrigë të rrezikshme. /Telegrafi/