Avokat i akredituar në Dhomat e Specializuara për Kosovën, Artan Qerkini, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Dhomat e Specializuara në aspektin përmbajtësor janë tribunal.
“Kur presidenti flet për çështje teknike, me siguri ka menduar në çështje procedurale. Është e vërtetë se mund të kenë ekzistuar shumë çështje procedurale që mund të jenë diskutuar. Ka shumë arsye për një gjë të tillë dhe ajo kryesore është se Dhomat e Specialuzara janë një mekanizëm i ri ku praktika e tyre nuk është shumë konsistente prandaj është mëse e nevojshme që disa çështje procedurale të diskutohen”, ka thënë Qerkini.
Ai thotë se ka përshtypjen se avokati i Thaçit në këtë rast ka diskutuar edhe çështjen e publikimit të informatës nga kjo Prokurori pasi është konsideruar nga juristët në përgjithësi si një shkelje e rregullave të procedurës.
“Avokati ka mundësi se ka kërkuar shpjegime, se vet publikimi i njoftimit nuk e zhvleftëson aktakuzën. Por, kjo nuk do të thotë se prokurori nuk i nënshtrohet sanksioneve disiplinore. Në bazë të kodit të etikës edhe prokurori mban përgjegjësi të vartësve të tyre. Një prokuror nuk e ka për obligim nuk e ka për detyrë të zbatojë urdhrin e kryeprokurorit që është në kundërshtim haptazi me rregulloren apo me ligjin”, ka thënë Qerkini. “Nëse kjo është strategji, s’mendoj se është e presidentit por e avokatit. Kjo për shkak të njohurive që ka për ligjet dhe çështjet procedurale”.
Ai ka shtuar se në aspektin formal Dhomat e Specializuara janë gjykatë e Kosovës, por në aspektin përmbajtësor janë tribunal.
“Një gjykatë e një shteti nuk lejon që gjyqtarët t’i nxjerrin rregullat e procedurës ndërsa tek rasti i Dhomave të Specializuara gjyqtarët i nxjerrin rregullat e procedurës, dhe kjo na jep të kuptojmë se parimet e funksionimit të saj janë parime të funksionimit të një tribunali ndërkombëtar”, është shprehur ai.
Tutje ai ka bërë të ditur se ka mundësi që një avokat të akreditohet tek pasi të marrë një rast.
“Disa avokatë, që kanë licenca prej ICC-së me ekuivalencë nuk kanë të kalojnë nëpër procedurat e akreditimit. Në aspektin ligjor ka mundësi të ngritet aktakuza edhe pa e marrë në pyetje të pandehurin. Prokurorët për shkaqe të ndryshme mund të mos e marrin në pyetje para ngritjes së aktakuzës. Ka mundësi që intervistimi të lidhet me aktakuzën që është publikuar”, është shprehur ai.
Qerkini ka shtuar se ka qenë praktikë që personat që e kanë statusin e të dyshuarit të ftohen.
“Ka raste që intervistimet kanë zgjatur edhe tre ditë. Nesër ka gjasë të vazhdojë intervistimi dhe mbrojtja e Thaçit do të vendosë se si do të mbrohet ai. Ai ka mundësi që në disa pyetje të përgjigjet dhe në disa jo. Janë dy aspekte: komponenta ligjore, dhe ajo morale. Në aspektin ligjor nuk ka pengesa, madje Thaçi ia nënshkruajti vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Në aspektin ligjor ai është funksional. Vetëm nëse konfirmohet aktakuza, ai shndërrohet nga person i dyshuar në të akuzuar”, ka thënë Qerkini.
Sipas tij aktakuza si dokument duhet të jetë shumë më e detajuar.
“Ajo duhet të përcaktojë se cilat prova mbështeten. Vetëm kur të dorëzohet një dokument i tillë. Tani për tani aktakuza nuk është publikuar. Publikimi i dorëzimit të aktakuzës është në kundërshtim me rregullën 88 të rregullores së procedurës dhe provave. Kjo për faktin se nuk është në rregull që të bëhet komunikimi ndërmjet Prokurorisë dhe pandehurit përmes komunikatave”, shprehet Qerkini. “Kjo tregon se një njoftim i tillë nuk është dashur të bëhet. Komunikata e fundit është në kundërshtim me komunikatën e datës 28 prill, ku vet Zyra e Prokurorit thotë se procedura dhe akuza mbetet konfidenciale deri në konfirmim”.
Sipas Qerkinit mbrojtja e Thaçit dhe Veseli nuk mund të atakojë aktakuzën si dokument për shkak të publikimit.
“Rregulla nr 87 thotë se aktakuza mund të atakohet vetëm për shkak të juridiksionit, të metave formale dhe të kërkohet veçimi i procedurave. Këto janë tri bazat mbi bazën e të cilave mund të sfidohet akuza te gjyqtari i procedurës paraprake. Këto shkelje janë në nivel të shkeljeve disiplinore”, ka thënë Qerkini.
Për klientët e tij thotë se ende nuk është njoftuar për ngritje të ndonjë aktakuze.
“Si mbrojtje nuk kemi informatë për klientët tanë që janë intervistuar se ndaj tyre është ngritur aktakuza, as përmes ndonjë komunikate, emaili, apo telefonate. Kur e kuptojmë një gjë të tillë me kohë do të njoftojmë edhe opinionin”, ka thënë Qerkini.