‘Islami duhet të ripërtërihet’, është fjalia tekstuale e Dr. Shfeqet Krasniqit, të cilën e ka thënë mbrëmë në një emision televiziv, shkruan Gazeta Mejdani.
Hoxha i njohur dhe i cili ka ndjekës të shumtë në botën shqiptare, njëherit ligjëruesi në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, Dr. Shefqet Krasniqi, ka folur mbrëmë në TV Dukagjini ku ishte mysafir i Ermal Pandurit në emisionin DebatPlus.
Përveç temave nga aktualiteti politik e social në vendin tonë, Dr. Shefqet Krasniqi ka prekur edhe disa tema të ndjeshme sa i përket fesë islame. Ndër të tjera, Dr. Krasniqi ka folur edhe për nevojën e një përtërirje të fesë islame.
Megjithatë, është edhe një teolog tjetër në Kosovë i cili vazhdimisht ka potencuar nevojën e qasjeve të reja fetare dhe sociale.
Dr. Mustafa Bajrami ka kohë që shkruan për nevojën e riintepretimit të Islamit. Ky i fundit, duke qenë tepër i kujdesshëm në terminologjinë që e përdorë në lidhje me temën, thotë se Islami nuk mund të ndryshohet e as të reformohet. Sepse, sipas tij, Islami është i përcaktuar dhe i definuar që nga koha e zbritjes së tij. Por, ajo që nevojitet, ajo që mund të reformohet është pikërisht riinterpretimi i Islamit.
Dr. Mustafa Bajrami në një shkrim të tij të botuar kohë më parë në mediat shqiptare, kishte potencuar nevojën e modifikimit të interpretimit të fesë islame, sipas kërkesave dhe dinamikave të kohës dhe gjeografisë ku jetojmë. Ai kishte nënvizuar faktin se fillimisht duhet bërë ndërhyrje në mënyrën e lëshimit të fetvave.
Në lidhje me fetvanë, Dr. Bajrami gjithashtu kishte përgatitur tri studime ku specifikonte rregullat dhe konditat e këtij institucioni kaq të rëndësishimë të fesë islame. Bazuar në atë që është shkruar deri më tani në gjuhën shqipe në lidhje me fetvanë, ato tri studime të tij konsiderohen të parat e atij niveli shkencorë që janë përpiluar ndonjëherë në hapësirat tona ku jetojmë.
Ri-hapja e derës së ‘Ixhtihadit’, është imperativ i kohës, kishte thënë Dr. Bajrami.
Nga ana e tij, edhe Dr. Shefqet Krasniqi foli për këtë temë. Në pyetjet e Ermal Pandurit nëse duhet dhe ku duhet të bëhen ripërtërirje të fesë islame, Dr. Shefeqt kraniqi foli shkurt, por me insistim. Ai tha se është nevojë kohe që të ndryshohen disa mënara të shpjegimit të fesë islame, pa prekur esencën e saj.
Dr. Krasniqi nënvizoi se ripërtërirja e Islamit dallon nga reformimi. Këtë konstatim të tij e mbështeti në hadithin e Muhamedit a.s. i cili thotë se në çdo 100 vjet duhet të bëhen ripërtërirjet e nevojshme të fesë islame.
Sa i përket hapjes së xhamive, ai tha: “Për mua xhamitë do të duhej të hapeshin këtë xhuma [të premte]”, përcjell Gazeta Mejdani.
Në lidhje me politikën e vendit, Dr. Krasniqi ka thënë gjithashtu se ka parashikuar ardhjen e Albin Kurtit në qeveri dhe një gjë të tillë e parashikon përsëri.
“Ata që janë ngritur në politikë duke sharë myslimanët kanë humbur dhe këta tjerët kanë fituar [LVV]. Unë them se do të fitojnë prapë nëse nuk gënjejnë popullin”, tha ndër të tjera Shefqet Krasniqi./Gazeta Mejdani/