Tri organizata studentore USPE, SKOK dhe Studim Kritik, Veprim kanë paralajmëruar protestë prej orës 11:00 para MASHTI-it kundër vendimit për emërimin e tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Në njoftimin për media u bëhet thirrje edhe studentëve tjerë të UP-së që të jenë pjesë e protestës.
“Sot prej orës 11:00 duke respektuar rekomandimet e IKSHP dhe duke ruajtur distancën sociale, ftojmë studentët e UP ‘Hasan Prishtina’ të na bashkohen në protestë kundër vendimit të padrejtë të Ministrisë së Arsimit për emërimin e tre personave në Këshillin Drejtues, dy prej të cilëve janë shërbyes të kolegjeve private. Para disa ditësh kemi bërë thirrje që ky vendim të zhbëhet, por ministrja ka refuzuar një gjë të tillë. Andaj jemi të detyruar të protestojmë kundër këtij vendimi. MASHTI fokus parësor duhet të ketë ngritjen e UP-së dhe jo minimin e brendshëm të tij nga influencat e kolegjeve private”, thuhet në njoftim.
“Vendimi për emërimin e punonjësve të kolegjeve private në Këshillin Drejtues të UP-së, është cenim i autonomisë së UP-së, është i papranueshëm dhe e vë në rrezik cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë. Për neve si e tillë do të jetë një çështje që do t’i shkojmë deri në fund, siç i kemi shkuar rastit të ish-rektorit Ibrahim Gashi, ish-prorektores Teuta Pustina dhe rasteve të tjera të profesorëve që janë shkarkuar për arsye të ndryshme. Universiteti është i yni, ne nuk do të heqim dorë nga ai, siç nuk kanë hequr dorë as prindërit e gjyshërit tanë që nga viti 1968 e deri më sot”, përfundon njoftimi./Gazeta Mejdani/