Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas kthimit nga Haga, ku vizitoi krerët e Ushtrisë Çlirimtarët të Kosovës, që po mbahen në paraburgim, foli në Prishtinë për atë që ka parë atje.
Pasi vizitoi ish presidentin Hashim Thaci, ish kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin, si dhe të paraburgosurit e tjerë, në deklarim për RTK-në, tha se Gjykata Speciale ka nevojë për një mekanizëm kontrolli.
“Mënyra se si po funksionon kjo gjykatë me thënë të drejtën, nuk i jep llogari kurrkujt, e kështu nuk ka askund në botë”, tha Konjufca për RTK-në.
Sipas tij, që kjo gjykatë, për të qenë e ndershme e për të qenë gjykatë në përputhje me drejtësinë, për të qenë gjykatë e drejtësisë, e jo gjykatë e politikës, ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit.
“Ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont”, tha kryetari i Kuvendit.
Ai u shpreh se bashkësia ndërkombëtare nuk po e themelon këtë mekanizëm të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale.
“ Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari Gjykata Speciale, por në anën tjetër Kuvendi është themelues i kësaj gjykate”, u shpreh Konjufca.
Vizita që Konjufca u bëri ish krerëve të UCK-së është e para e një zyrtari të nivelit të lartë që u bëhet të paraburgosurve prej kur ata vullnetarisht u dorëzuan rreth një vit e gjysmë më parë.