Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme, shkruan Gazeta Mejdani.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i LVV-së, Albin Kurti përmes një video-mesazhi të postuar nga faqja zyrtare e këtij subjekti politik.
Sipas njoftimit, nga 20 shtatori, secili anëtar i Lëvizjes, dhe kurdo që është anëtarësuar, do të ketë të drejtë për të votuar e për t’u kandiduar.
Kurti thotë se zgjedhjet do të jenë të drejtpërdrejta, të lira e demokratike.
“Në fund të këtij procesi do të kemi struktura edhe më të fuqishme ashtu siç e kemi edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve”.
“Në 30 qendra të Lëvizjes në Kosovë e 13 qendra në mërgatë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë mundësi që përmes parimit “një anëtar, një votë” të zgjedhin kryesitë e kryetarët e pikave nëpër lagje e fshatra, të propozojnë kandidatët që vlerësojnë më së shumti apo edhe të vetpropozohen”, thuhet në njoftim.
VV ka ftuar të gjithë anëtarët që të bashkohen në këtë proces zgjedhor.
“Bashkë në organizim – bashkë në drejtim!”