Mejdani.com

Besnik Shabiu nga organizata ‘Let’s Do It Kosova’ kërkon masa më të rrepta kundër pirjes së duhanit!

Besnik Shabiu
Besnik Shabiu

Besnik Shabiu nga organizata “Let’s Do It Kosova”, ka folur sot rreth nevojës së senzibilizimit edhe më të madh kundër pirjes së duhanit, përcjell Gazeta Mejdani.

Duke marrë pjesë në një emision në KTV, ai thënë se Ligji për kontrollin e duhanit nuk ka gjetur zbatim të mjaftueshëm në Kosovë. “Çështja e duhanit duhet të merret më seriozisht jo vetëm nga aspekti i shëndetit por edhe ai ambiental” ka thënë Besnik Shabiu.

“Megjithëse e kemi një ligj jashtëzakonisht të mirë, si shumica e ligjeve edhe ky zbatueshmërinë në vitet e para e kishte por më pas kishte ngecje, kjo si pasojë e mosmarrjes seriozisht të kësaj çështje. Temat e tilla, masat e tilla nuk duhet të jenë të diskutueshme as nga qytetarët e as institucionet. Në mungesë të inspektimit, të zbatimit të majftueshëm të masave, qytetarët lirohen dhe shohim lokale jo vetëm në këtë kohë pandemie por në rrethana tjera në lokale vazhdon në masë të madhe të konsumohet duhani në hapësira të mbyllura”, tha ai në emisionin Raport të KTV-së.

Më 19 shtator, shënohet Dita Botërore e Pastrimit. Me këtë rast “Let’s Do It Kosova” ka lansuar fushatën 19 ditëshe për vetëdijësimin për duhanin, nga 1 deri më 19 shtator. Shabiu thotë se fushata e sivjetme do të kthejë vëmendjen tek filtrat e cigareve të cilat hudhen kudo nëpër lokacione të ndryshme në vend.

“Fushatat nuk janë të mjaftueshme sepse shënohen vetëm në ditë apo javë të shënuara. Duhet të vazhdojmë që më tutje që problematika të tilla të merren më shumë parasysh dhe krahas edukimit, vetëdijësimit, duhet të jetë zbatimi në praktikë i legjislacionit”.

Besnik Shabiu tutje thotë se, një filtër i cigares mund të kontaminojë deri në 1 mijë litra ujë. Problematikat tjera janë 400 mijë vdekje si pasojë e sëmundjeve që janë të ndërlidhura me duhanpirjen. Prandaj kampanja e cila ka nisur për filtrat e cigareve, po bëhet për shkak se njerëzit nuk e dinë dëmin që mund të shkaktohet nga to.

Në fund ai ka vlerësur se në Kosovë mungesa e inspektimit e ka sjellur situatën që është sot, ndërsa shton se “institucionet janë ato që duhet që punën në terren ta marrin më seriozisht”.