(Dedikuar të gjithë atyre të cilët, ‘partneritetin strategjik shqiptaro-amerikan’ mundohen ta shndërrojnë në folklor; si dhe politikanëve dhe figurave tjera publike të dështuara dhe të korruptuara, të cilët, flamurin amerikan mundohen ta shfrytëzojnë si gjeth fiku, për të mbuluar impotencën, turpet, dështimet, krimet dhe korrupcionin e tyre disa-dekadësh apo disavjeçar)
Shkruan: Sali Shasivari
S’do mend se, çështja e ‘miqësisë dhe partneritetit strategjik’ në mes shqiptarëve dhe SHBA-ve, e ngritur mbi themelet e interesave të përbashkëta, paraqet element, faktor dhe kapitull tejet të rëndësishëm për këto dy popuj në përgjithësi, si dhe për popullin shqiptar në veçanti; ngase, kjo miqësi dhe ky partneritet, nga njëra anë, dha fryte të pamohueshme në mbijetesën e kombit shqiptar përgjatë disa dekadave të fundit, ndërsa nga ana tjetër, luajti një rol jashtëzakonisht të madh në aktualizimin dhe avancimin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe më gjerë, sidomos në kohën kur popullit shqiptar në Ballkan i kanosej rreziku ekzistencial nga fuqitë e errëta pan-sllaviste dhe pan-ortodokse, të ndërsyera dhe të përkrahura nga shumë fuqi evropjane.
Kjo miqësi dhe ky partneritet u intensifikua edhe më shumë në vitet e 90’ta të shekullit të kaluar, duke kulmuar me ndërhyrjen e NATO-s (në krye me SHBA-të) për ndalimin e gjenocidit fashist serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë; akt ky, për të cilin, shqiptarët duhet të jenë përjetë mirënjohës ndaj popullit dhe shtetit amerikan.
Madje, kjo miqësi dhe ky partneritet i ndërsjellë strategjik, jo vetëm që u intensifikua edhe më tepër pas intervenimit ushtarak në Kosovë, por kjo miqësi dhe ky partneritet duket se do të aktualizohet në vazhdimësi, në suaza të interesave të ndërsjella, sidomos nën hijen e ekuilibrave të reja gjeopolitike dhe gjeostrategjike të cilat po ndodhin gjithandej nëpër planetë, dhe të cilat, dosido, do të reflektohen edhe në rajonin e Ballkanit – si një nga nyjet e rëndësishme të përplasjeve të këtilla gjeopolitike dhe gjeostrategjike (me theks të veçantë ndikimi rus në rajon). E, në këtë aspekt, SHBA-të, në Ballkan, nuk kanë patur, nuk kanë, dhe nuk do të mund të gjejnë aleat më të sigurt dhe më besnik se sa shqiptarët.
Deri këtu, gjithçka është e kuptueshme dhe e pakontestueshme…
Mirëpo, problemi dhe keqkuptimi fillon në momentin kur dikush tenton që këtë miqësi dhe këtë partneritet ta thjeshtëzojë dhe banalizojë deri në përmasa folklorike; si dhe, në momentin kur disa sosh, ‘Amelikën’ dhe flamurin amerikan mundohen ta shndërrojnë në gjeth fiku, për të mbuluar impotencën, turpet, dështimet, krimet dhe korrupcionin e tyre!
Ky thjeshtëzim dhe ky banalizim bëhet edhe më toksik në momentin kur, personave të tillë ua përkujton realitetin e gjërave; në atë rast, të njejtët, si rezultat i naivitetit apo ndjenjës së fajit që kanë, ata kthehen në defanzivë, duke ngritur akuza të llojit ‘anti-amerikan’, ‘anti-perendimor’, ‘aziatik’, ‘turkofil’, etj. Për rrjedhojë, biseda shndërrohet në polemikë shterpe, e cila, nën preteksin e mbrojtjes së ‘miqësisë amerikane’, krijon ‘armiqësi ndërvëllazërore’! Në këtë mënyrë, harrohet çështja parësore dhe thelbësore, e që është uniteti dhe ndërtimi i ‘shtëpisë së përbashkët’, duke u dhënë pas bisedave dhe polemikave absurde dhe dytësore, të cilat defokusojnë nga qëllimi, dhe nuk sjellin kurrfarë rezultati, përpos përçarjes, si dhe prishjes së ‘vëllazërisë së brendshme’ dhe ‘miqësisë së jashtme’, në të njejtën kohë!
Së këndejmi, me qëllim të shmangies së situatave të këtilla, është e rëndësishme t’i qartësojmë disa të vërteta në lidhje me këtë çështje.
Fillimisht, duhet konstatuar disa fakte të përgjithshme përkitazi me miqësitë dhe partneritetet në mes popujve dhe shteteve, në mesin e të cilave theksojmë faktet që vijojnë:
– Popujt dhe shtetet e vogla e kanë vështirë të mbijetojnë pa miq dhe partnerë të fortë dhe të shumtë…
– Një popull apo shtet, sa më shumë miq që ka, aq më mirë për të… E, kur pranë vetes ka ndonjë mik të fortë, kjo është edhe më e mirë…
– Kur një popull apo shtet ka pranë vehtes një mik të fortë, proporcionalisht me atë miqësi forcohen pozitat e tij në nivel rajonal dhe ndërkombëtar…
– Popujt dhe shtetet duhet të jenë në kërkim të vazhdueshëm të miqësive të reja, por, në të njejtën kohë, nuk duhet anashkaluar dhe harruar miqësitë e vjetra…
– Miqësitë, në esencë, duhet të krijohen në saje të parimeve të përbashkëta… Mirëpo, në nivel të shteteve, miqësitë dhe partneritetet rëndom krijohen në saje të interesave të ndërsjella… Madje, në këtë kontekst përmendet edhe parimi i njohur amerikan, i cili tingëllon: ‘Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përhershme’.
– Shpeshherë ndodh që rrugët e miqëve të kenë kahje të ndryshme, varësisht prej interesave, por kjo nuk nënkupton detyrimisht prishjen e miqësisë; përpos nëse këto rrugë ndeshen direkt njëra me tjetrën…
– Asnjëherë nuk duhet thyer parimet bazë në të cilat beson një popull, për shkak të ndonjë miqësie; ngase, parimet janë të përhershme, ndërsa miqësitë mund të jenë të ndryshueshme dhe të përkohshme…
– Miqësitë dhe partneritetet duhet krijuar në mes popujve dhe vendeve, e jo në mes individëve dhe administratave / qeverive të caktuara; ngase, individët dhe administratat / qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa popujt dhe shtetet mbesin…
– Pa unitet dhe harmoni të brendshme, vështirë se mund të krijohen miqësi të qëndrueshme…
– Popujt dhe shtetet, po aq sa e respektojnë vehten e tyre, po aq do të respektohen nga miqtë dhe armiqtë…
– Pozita dhe pozicionimi i popujve dhe shteteve karshi miqve dhe armiqve, mvaret nga fortësia dhe qëndrueshmëria e elementeve të brendshme shtetformuese…
– Popujt dhe shtetet duhet ta kenë të qartë se, miku / miqët kanë vendin dhe rolin e vet, dhe se askush nuk vjen t’i kryej punët e popullit / shtetit gjegjës… Përndryshe, siç thotë populli, ‘vëlla për vëlla, por gjiza me para’! Miku / miqët janë për të ta zgjatur dorën, e, jo për të i kryer punët që nuk i kryen dot vetë…
– Popujt dhe shtetet, shpeshherë, mund të gjenden në situata të vështira, në të cilat duhet të vendosin ndërmjet interesave të tyre vitale afatgjate, apose t’i sakrifikojnë këto interesa të tyre vitale dhe afatgjate, me qëllim të plotësimit të ndonjë interesi të mikut / miqve… Në raste të këtilla, jo domosdoshmërisht duhet prishur miqësia, por gjithçka që kërkohet, është urtësi, maturi dhe mjeshtri në gjetjen e moduseve dhe një ‘mesi të artë’, përmes të cilit, edhe ‘ujku do të jetë i ngopur, edhe dhentë do të jenë në numër’…
Nën hijen e kësaj që u tha, mund të konstatojmë se, SHBA-të janë një nga miqtë e mëdhenj të kombit shqiptar tashmë disa dekada. Mirëpo, kjo miqësi shqiptaro-amerikane, nuk është e njëtrajtshme, por ka baticat dhe zbaticat e veta, varësisht nga rrethanat, si dhe varësisht nga shumë faktorë subjektiv dhe objektiv.
Kështu, në disa periudha, si rezultat i rrethanave dhe interesave të caktuara, miqësia dhe partneriteti shqiptaro-amerikan ka qenë më i theksuar; ndërsa, në disa periudha tjera, kjo miqësi dhe ky partneritet ka qenë më i zbehur; gjë kjo shumë normale në raportet ndër-miqësore, si dhe shumë e kuptueshme për një superfuqi, siç janë SHBA-të, e cila, në agjendën e saj të ngjeshur nuk mund të ketë çdoherë prioritet të vetëm shqiptarët dhe kauzat e tyre.
Së këndejmi, është obligim i popullit dhe shtetit – në këtë rast popullit shqipëtar dhe shtetit Kosovar – që, nga njëra anë, të punojë pa rreshtur në realizimin e objektivave të veta, duke u bazuar në kapacitetet e brendshme, ndërsa, nga ana tjetër, ta gjejë kohën, rrethanat dhe momentin e përshtatshëm, dhe të njejtin ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme për realizimin e aspiratave legjitime…; ngase, momentet e këtilla janë të pakta dhe të rralla!
Në anën tjetër, në periudhat, rrethanat dhe momentet e papërshtatshme / pavolitshme, kërkohet urtësi, maturi dhe mjeshtëri e jashtëzakonshme në ruajtjen e ekuilibrave, pa e dëmtuar vehten, dhe pa i prishur miqësitë dhe partneritetet.
Në saje të kësaj që u tha, nëse fokusohemi në periudhën më të re të raporteve shqiptaro-amerikane, do të shohim se:
Periudha e Presidentit Klinton (përgjatë dy mandateve të tij), ishte periudhë shumë e volitshme, ngase fokusi amerikan ishte mjaft i përqëndruar në Ballkan. Kjo periudhë u shfrytëzua mirëfilli, së këndejmi, dha rezultatet e veta tejet pozitive, duke kulmuar me intervenimit ushtarak dhe çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe.
Periudha e Presidentit Bush – Junior (përgjatë dy mandateve të tij) u karakterizua me fokus më të madh në Lindjen e Mesme, mirëpo, megjithatë, Ballkani ishte ende pjesë e agjendës amerikane. Edhe kjo periudhë u shfrytëzua deri diku, dhe dha rezultatet e veta pozitive, duke kulmuar me shpalljen e Kosovës si shtet i pavarur. Mirëpo, megjithatë, kjo periudhë mundej të shfrytëzohet edhe më shumë, por, faktori politik kosovar nuk qe në nivel të detyrës dhe sfidave; gjë kjo e cila vonoi dhe dështoi shumë procese.
Periudha e Presidentit Obama, përgjatë mandatit të tij të parë u karakterizua me fokus më të madh në Lindjen e Mesme, ndërsa përgjatë mandatit të dytë u karakterizua me fokus më të madh në Lindjen e Largët; ndërsa fokusi amerikan në Ballkan ishte tejet i zbehtë. Së këndejmi, kjo periudhë ishte ndër më të zbehtat në kuptim të shtyerjes përpara të proceseve shqiptare në përgjithësi, si dhe çështjes kosovare në veçanti.
Periudha e Presidentit Tramp, jo vetëm që u karakterizua me fokus më të madh në Lindjen e Largët, por, kjo periudhë ka qenë tejet sfiduese jo vetëm për çështjen shqiptare në veçanti, si dhe çështjet tjera globale në përgjithësi, por kjo periudhë e Presidentit Tramp duket se ishte tejet sfiduese edhe për vetë shtetin amerikan (secili që është në hap me rrjedhat, është i vetëdijshëm se për çka e kam fjalën)!
Së këndejmi, gjatë kësaj periudhe, për shqiptarët në përgjithësi, si dhe Kosovarët në veçanti, ka qenë i domosdoshëm një kujdes dhe maturi e jashtëzakonshme, edhe atë, përmes fokusimit në çështjet e brendshme, dhe prolongimit të çfarëdo hapi vendimtar në politikat e jashtme, sidomos në këtë vit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA (deri sa të shihet epilogu i zgjedhjeve në fund të këtij viti); Kosova ka vite që pret, andaj, një prollongim i këtillë disamujor nuk do të prishte punë. Madje, një gjë e këtillë do të ishte më se e mundshme, nën hijen e një uniteti të brendshëm, një koordinimi më të afërt me Lobin Shqiptar në Amerikë dhe Diasporën Shqiptare në Europë, si dhe një konsultimi më intenziv me miqtë tjerë të popullit shqiptar. Për më tepër, situata e krijuar si rezultat i pandemisë ‘Covid19’ do të mjaftonte si arsye dhe alibi për një moratorium në këtë aspekt, me qëllim të planifikimit më me kujdes të agjendës për periudhën e rradhës.
Mirëpo, për fat të keq, kur ke popull të fjetur dhe udhëheqës ‘çakenj’, atëherë nuk duhet të na vijë çudi kur dëgjojmë për “marrëveshje tallava” të llojit që ndodhi para pak ditësh në Shtëpinë e Bardhë, me ç’rast, një grup politikanësh të papërgjegjshëm vendosën për gjitha çështjet jetike të një populli dhe shteti, si: faljen e gjakut dhe krimeve ndaj armiqëve, ndarjen e resurseve të vendit, dhënien e benefiteve ekonomike, diskriminimin në baza fetare ndaj shumicës dërrmuese të popullatës, kompromisin ndaj vlerave morale dhe familjare të cilat paraqesin bosht të vlerave kombëtare, përcaktimin e “miqve” dhe “armiqve” në sferën e marrëdhënieve të jashtme, etj., sikur këtë popull dhe këtë shtet ta kenë ‘mall babe’! E gjithë kjo, pa konsultim paraprak, pa debat publik, pa transparencë, pa konsenzus…; bile-bile, në emër të “demokracisë” si dhe “miqësisë dhe partneritetit strategjik me SHBA-të”!
Në situata të këtilla absurde, nuk mbetet gjë tjetër për të thënë, përpos psherëtimës “mirëmëngjesi demokraci” dhe “rroftë Amelika”!