Mejdani.com

(II) Hebrenjtë në Kur’an; mësimet që duhet t’i nxjerrim nga shtjellimi kur’anor për këtë popull!

Mustafë Bajrami
Mustafa Bajrami

Sipas Kur’anit, besimtari nuk duhet të jetojë me iluzionin se të gjithë njerëzit mund t’i takojnë një feje apo se të gjithë ata do ta pranojnë Islamin. Kur’ani thotë se njerëzit janë të lirë të vendosin për fenë që duan t’i takojnë. Mbase, është çështje e vullnetit të tyre nëse duan të besojnë, e nëse besojnë, kujt t’i besojnë.

Shkruan: Mustafa Bajrami

Ka disa ajete kur’anore të cilat në shikim të parë tingëllojnë ashpër në veshin e njerëzve. Është detyrë e dijetarëve muslimanë t’i bëjnë të qarta këto ajete dhe tua bëjnë me dije njerëzve se kuptimi i këtyre ajeteve nuk është siç mendohet.  

Shikuar në thelbin dhe tërësinë përmbajtjesore të ajeteve kur’anore, Kur’ani më ngushtë është i lidhur me pluralizmin kulturorë dhe shoqërorë sesa me atë teologjik, ose me sinkretizimin dogmatik. Këtë e kemi shtruar nëpër disa shkrime tonat. Kemi thënë gjithashtu se Kur’ani e konsideron thelbësore të vepruarit mirë (apo të konkurruarit për vepra të mira) me njerëzit që i përkasin grupeve të ndryshme fetare. Kur’ani i pranon Ithtarët e Librit ashtu siç janë dhe nuk e pengon fare ushtrimin e lirisë së tyre fetare.

Në ajetin 84 të sures Al-i Imran, Kur’ani thotë se të krishterët dhe hebrenjtë janë ithtarë të Librit (Ehli-kitab). Po aty, Muhamedi a.s. urdhërohet tu thotë pasuesve të librit se myslimanët respektojnë atë që i ishte shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Musait, Isait dhe të gjithë pejgamberëve tjerë, dhe se, myslimanët nuk guxojnë të bëjnë dallime mes pejgamberëve. Pra, që nga ditët e para të Shpalljes, Islami promovoi koekzistencë mes njerëzve. Në vijën e kësaj, Muhamedi a.s. vuri në praktikë formën modus vivendi të bashkëjetesës mes myslimanëve, hebrenjve dhe të krishterëve.

“Thuaj: “Ne i kemi besuar Allahut, edhe asaj që na u zbrit neve edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit dhe pasardhësve të tyre. Edhe asaj që i ishte dhënë Musait dhe Isait dhe asaj që ishte zbritur të gjithë pejgambereve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar”. (Al-i Imran, 84)

Siç mësojmë nga rasti kur Muhamedi a.s. e dërgoi Muadh bin Xhebelin në Jemen për tua shpjeguar jemenasve Islamin, profeti i Allahut i kishte thënë emisarit të tij të ketë shumë kujdes me jemenasit, sepse, ata janë prej ehli kitabit dhe se kanë njohuri mbi fenë monoteiste. Ai lë të nënkuptohet se dialogu me Pasuesit e Librit dallon nga dialogu me jobesimtarët. Ajo që kuptohet lehtë nga ky rast është nevoja e përgatitjes adekuate të emisarëve para se të shkojnë në detyrat e tyre. Pra, njohja e mentalitetit të shoqërisë ku shkon emisari, njohja e rrethanave historike e politike janë momente shumë të rëndësishme.

Pjesa e Parë: https://mejdani.com/kurani-dhe-hebrenjte-filozofia-e-nje-bashkejetese-te-mundshme-mes-feve-qiellore/

Sipas mësimeve që nxjerrim nga tradita e profetit të njerëzimit, hyrja në dialog vetëm sa për të dialoguar, pa njohuri paraprake rreth asaj që do të dialogohet dhe rreth atyre me të cilët do të dialogohet, është dështim në tentativë para se të fillojë dialogu. Këtij rregulli i ishte përmbajtur Muhamedi a.s. para 15 shekujve, pikërisht kur po fillonte thirrjen e hebrenjve në Islam. Pra, mbi këtë bazë dhe me këtë metodë, Kur’ani e kishte nisur dialogun me hebrenjtë, të cilëve u qaset me butësi, ngrohtë dhe në mënyrë shumë specifike. Pikërisht për shkak të butësisë të cilën e përdori Kur’ani me hebrenjtë, teksa ua rikujtonte të mirat që ua kishte dhënë Zoti, hebrenjtë, në fakt, nuk duhej t’i ishin kundërvë aq ashpër Muhamedit a.s. Ata duhej ta kishin kuptuar thirrjen e Kur’anit se ajo i ngjasonte Tevratit, ndërsa Muhamedi a.s. ishte vazhdimësia e profetëve para tij, pra, pasardhës ideorë edhe i Musait a.s..

Të mos harrojmë. Kurani nuk është shpallur vetëm për myslimanët. Ky libër i drejtohet të gjithëve, edhe hebrenjve edhe të krishterëve. Muhammedi a.s. ishte vazhdimësia e profetëve para tij, sikur që edhe Kurani është në vijën e shpalljeve të mëparshme. Kur’ani, në esencën e vetë është e njëjta Shpallje që nga Ademi a.s. Ajo që mund ta dallojë Kur’anin nga Shpallja e mëparshme është se ai është modifikimi i fundit për nevojat, kërkesat dhe dinamikat e reja të njerëzimit. Ndryshueshmëria në zinxhirin e Shpalljes ka karakter vetëm të natyrës praktike, varësisht prej nivelit të zhvillimit shoqëror të njerëzimit, ndërsa në esencë, është e njëjtë dhe e pandryshueshme. Sipas kësaj, Shpallja përjetoi disa “botime” derisa arriti pjekurinë përfundimtare. Andaj themi se do të ishte e arsyeshme që hebrenjtë t’i përgjigjeshin thirrjes së Kur’anit. Ata nuk duhej t’i kishin mbyllë sytë përpara të vërtetës, nuk duhej të ishin mashtruar as për shkak të interesave të tyre të ngushta të kohës, e as të lajthiteshin nga prestigji për të cilin pretendonin se e kishin. Po ta pranonin Islamin, ata do ta kishin më lehtë t’i përballonin sfidat e jetës, sepse, tek e fundit, edhe gjendja fetare e tyre kishte nevojë për reforma. Feja tek ta ishte shndërruar në formalitet, masat e praktikonin fenë vetëm nëpër ceremoni, ndërsa prijësit e tyre (ahbarët) e përdornin dhe e recitonin si thënie, por pa pa praktikë.

Dhe besoni atë, që u shpalla (Kuranin), e që vërteton atë që e keni ju e mos u bëni mohues të parë të tij, dhe mos i ndërroni ajetet e Mia (Kuranin) karshi një vlerë të paktë, por vetëm Mua të ma keni dronë”. (el-Bekare, 43)

A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e keni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?”. (el-Bekare, 44)

Kritika drejtuar hebrenjve këtu duhet kuptuar si tërheqje e vërejtjes ndaj tyre për shkak se ata tjetër gjë thonin, e ndryshe vepronin (E te’murune-n-nase bi’l-birri…). Përditshmëritë e tyre binin ndesh dhe nuk përkonin me fjalët të cilat në emër të fesë i thonin. Qortimin e Zotit drejtuar hebrenjve të cilin e lexojmë në ajetin e 44 të sures el-Bekare, tërthorazi duhet lexuar edhe si qortim ndaj të gjithë neve. Zoti dënon ashpër njeriun i cili bënë dallime mes fjalës dhe veprës, mes teorisë dhe praktikës.

Sipas mësimeve të Kuranit, feja nuk është tërësi e fjalëve boshe, as formalizëm i bezdisshëm. Feja është vepër, është punë dhe praktikë. Këshillat e njerëzve që ua japin të tjerëve, vlejnë për aq sa ata janë shembull praktik për të tjerët. Vetëm për aq sa ato këshilla jetësohen në përditshmëritë tona. Nëse besimi në Zotin nuk reflekton në praktikën e përditshme të njeriut, në jetën e tij private dhe shoqërore, ai besim është i thatë dhe i gabueshëm. Edhe kur një teori shprehet bukur e stoliset me fjalë të mira, nëse është e zhveshur nga praktika, sipas mësimeve të Islamit, ajo nuk ka vlerë. Besimi i cili është vetëm formalizëm, i cili nuk shndërrohet në energji të brendshme për të na orientuar kah praktika, ky besim nuk e ka vlerën e besimit të duhur. Sipas kësaj, vepra është ajo që përbërën esencën e fesë, jo (vetëm) fjala.

Thotë Kur’ani: “Thuaju (o i dërguari i Zotit): “O ithtarë të Librit, ejani te një fjalë që është e njëjtë (e përbashkët dhe e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë tjetër pos Allahut, të mos i bëjmë Atij asnjë shok, të mos konsiderojmë njeri-tjetrin zota pos Allahut”. E në qoftë se ata refuzojnë, ju thuani: “Dëshmoni pra, se ne jemi myslimanë”. (Alu Imran, 64)

Nëse i qasemi me vëmendje ajetin të sapo përmendur, do të shohim se ky ajet ka implikime edhe praktike. Ajeti nuk bënë thirrje vetëm për besim. Nuk është vetëm përpjekje spekulative sa për të besuar. Ajeti në fjalë thërret për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe se nuk ka kurrfarë arsye që njerëzit të luftojnë mes vete në emër të fesë. Sepse, përderisa të gjithë njerëzit janë të njëjtë, kanë një Krijues, janë nga e njëjta materie, atëherë, barabarësia me tyre duhet të jetë promotori për bashkëpunim mes tyre. Jo lufta. Kur këto ajete u lexuan jashtë kontekstit kohorë dhe hapësinorë, atëherë, mesazhi i Kur’anit u deformua dhe nuk u kuptua ashtu siç duhej kuptuar.

Kështu dhe për fat të keq, Kur’ani jo gjithmonë u interpretua drejtë dhe jo gjithmonë ajeteve të tij u dha tretman i duhur. Nëse shikojmë në ajetin 62 të sures el-Bekare i cili thotë se: “Ata që besuan, hebrenjtë, të krishterët, sabejët që besuan Allahun dhe botën tjetër dhe bënë vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen”, do të shohim se ky ajet, nëpër kohë të ndryshme përjetoi interpretime të gabueshme. Këto komentime të gabueshme ngushtuan prizmin e pikëpamjes tolerante të Kur’anit ndaj pjesëtarëve e feve tjera. Transmetohet nga Maliku se Ebu Bekri i kishte urdhëruar ushtarakët e tij të kenë shumë kujdes ndaj njerëzve dhe ndaj vendeve të tyre të shenjta, që të lihen ata njerëz të qetë, ta kryejnë adhurimin e tyre pa u penguar. Ebu Bekri i kishte urdhëruar gjithashtu të kihet kujdes ndaj grave, pleqve dhe fëmijëve të atyre njerëzve. Njerëzit nuk duhet të vriten vetëm pse ata i takojnë një besimi tjetër. Çuditërisht, pati komentatorë që thanë se ky ajet fletë për hebrenjtë, të krishterët dhe sabejët të cilët kishin jetuar para ardhjes së Islamit! Po të ishte kështu, si të bëhet dallimi mes besimtarëve të drejtë dhe grupeve tjera që përmenden në këtë ajet, kur dihet fakti se, edhe besimtarët e drejtë para ardhjes së Islamit ishin mushrikun apo jobesimtarë. Kjo formë e komentimit të Kur’anit është jashtë çdo logjike të shëndoshë. Pra, nëse i besohet këtij komentimi kështu i këtij ajeti, atëherë besimtarët e drejtë do të ishin në pozitë edhe më te keqe, sepse, para Islamit shumica e tyre ishin mushrikunë.

Të mos harrojmë. Ajeti në fjalë argumenton edhe diçka më gjerë se vetëm besimin në Zotin Një. Ajeti flet për shpërblimin e Zotit, atë të shpërndarjes së drejtë të drejtësisë së Zotit. Drejtësia e Zotit nuk lejon që shpërblimi i Allahut të jetë i përkufizuar mbi bazën e ndonjë përkatësie të ngjyrës së lëkurës, të gjuhës apo bindjeve të caktuara fetare. Kur është fjala tek drejtësia e Zotit në shpërblime, aty nuk luan rol të quajturit e dikujt mysliman, hebre apo i krishterë. Pra, shpërblimi i Zotit nuk ndahet pse dikush quhet kështu apo ashtu, por pse dikush punon për tu shpërblyer. Në lidhje me këtë ajet, Ibn Xherir et-Taberiu thotë se ajeti në fjalë flet për dialogun në mes myslimanëve, hebrenjve dhe të krishterëve.

Hebrenjtë e asaj kohe thonin se ishin më të mirë se myslimanët, sepse, feja e tyre ishte më e vjetër se feja islame, se profeti i tyre ishte para Muhamedit a.s., dhe se ata ishin pasardhësit e Ibrahimit, së këndejmi, vetëm ata do të hyjnë në xhenet (ve len jed’hul-el-xhennete illa men kane jehuda). Njëjtë kështu thonin edhe të krishterët. Muslimanët, nga ana e tyre, përgjigjeshin se pikërisht ata ishin më të mirët, sepse feja e tyre është e fundit, është më e përkryera, dhe se e kishin profetin e fundit i cili duhet të pasohet nga të gjithë njerëzit. Në këtë rast, Kur’ani ndërhyn duke thënë se gjërat nuk varen prej dëshirës së ehl-i-kitabit apo të muslimanëve. Sipas Kur’anit, puna është ajo që përcakton pozitën e njeriut karshi Zotit dhe karshi historisë. Me gjithë besimin e drejtë, kush punon mirë, shpërblehet, e kush bënë vepra të liga, dënohet. Pra, fjalët, si të vetme, të thata e boshe, nuk janë ato që shpërblehen, por shpërblehen veprat e mira. Veprat janë ato që përcaktojnë shpërblimin, jo fjalët. Në favor të kësaj flasin edhe disa ajete tjera të Kur’anit, si ai i 123 i sures en-Nisa, apo ai tjetri i 111 i sures el-Bekare.

Nga ana tjetër, është interpretim i gabueshëm i Kur’anit nëse thuhet se Islami ka qasje armiqësie ndaj hebrenjve. Kur’ani e ndalon urrejtjen, e ndalon ndasinë mbi bazën e racës, kombësisë apo ngjyrës së lëkurës. Në raport me drejtësinë e Allahut, të gjithë njerëzit e të gjitha feve janë të barabartë. Islami ndalon sidomos përdorimin e ajeteve të caktuara për të justifikuar veprimet armiqësore ndaj dikujt që nuk është arab apo nuk është mysliman. Rasti i hebrenjëve është shembulli më i mirë i tolerancës të cilën e promovon Islami. Përderisa hebrenjtë jetuan në tokat islame, ata nuk patën probleme me myslimanët. Holokausti ndaj hebrenjve ndodhi jashtë hapësirës gjeografike ky frymonte Islami. As vrasjet, as gjenocidet e as egzodi i tyre nuk u shkaktua nga myslimanët. Ata jetuan të qetë dhe të respektuar në tokat islame. Bashkëjetesa mes njerëzve është baza e pikëpamjes islame mbi njerëzit dhe mbi botën. Sipas Islamit, vlera si vlerë nuk është përcaktim formal i një partie, ideologjie, medh’hebi apo e ndonjë shkolle teologjike. Vlera përcaktohet dhe shpërblehet mbi bazën e veprës dhe qëllimit të asaj vepre.

Megjithatë, në disa vende Kur’ani i kritikon ashpër hebrenjtë dhe të tjerët.

Jehudet dhe të krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty derisa nuk paso fenë e tyre”. (el-Bekare, 120). Apo, “O ju që besuat! Mos i zini për miq as hebrenjtë e as të krishterët” (el-Maide, 51). Mbase, në një vend tjetër Kur’ani thotë se besimtarët nuk bënë as të shoqërohen me të krishterët, ndërsa për hebrenjtë thotë se janë armiq të përbetuar të myslimanëve.

Që në fillim duhet të nënvizojmë se këto ajete flasin për situata të caktuara. Ato nuk përfshijnë gjithë qëndrimin e Kur’anit ndaj tyre. Këtu fjala është për kohën kur konfliktet dhe konfrontimet mes myslimanëve dhe të tjerëve kanë marrë përmasa fizike të luftës së hapur. Pra, këto ajete kanë të bëjnë me kohën e luftës, me kohën kur përcaktohen rregulla specifike në situata të jashtëzakonshme. Lufta si gjendje e jashtëzakonshme, s’do mend se imponon edhe rregulla dhe ligje të jashtëzakonshme. Gjithashtu, kritikat e Kur’anit ndaj hebrenjve kanë të bëjnë sidomos me largimin e tyre nga rruga e Zotit, kanë të bëjnë me sjelljet e tyre ndaj profetëve dhe ndaj njerëzve që i kishin përreth. Ata talleshin me Muhamedin a.s. dhe me besimtarët e tij. Ata e mohuan Zotin dhe treguan mosmirënjohës ndaj dhuntive që u kishte dhënë Zoti. Shtrembëruan Tevratin dhe futën në te fjalë të hahamëve të tyre. Më vonë, ata erdhën edhe me një libër tjetër të cilin me vetëdije dhe me vullnetin e tyre e shenjtëruan. Telmudi, ky libër i shenjt të cilin e kanë në dorë, siç argumentojnë edhe ata vetë, është libër të cilin e shkruan prijësit e tyre fetarë përgjatë një pjese të caktuar të historisë. Dhe, meqë Kur’ani i ishte dërguar të gjithë njerëzve, me të drejtë i drejtohet edhe hebrenjve edhe me kritika. Përndryshe, Islami është kategorik kundër dhunës, ai respekton lirinë e besimit të njerëzve, besojnë apo nuk besojnë. Islami në asnjë mënyrë dhe në asnjë kohë nuk ua imponon njerëzve besimin e tyre. (Men shae fel-ju’min ve men shae fel-jekfur)

Ti kthehemi drejtpërdrejtë historisë së hebrenjve në Kur’an.

Kur’ani i urdhëron hebrenjtë për faljen e namazit dhe dhënien e zeqatit njëjtë sikur do t’i urdhërojë më vonë myslimanët. “Faleni namazin, jepeni zeqatin dhe faluni me ata që falen”. (el-Bekare, 43)

Duke ditur se realizimi e një vepre të mirë kërkon mund dhe sakrifica, si ndihmesë, Zoti e porositë njeriun për namaz dhe durim. Pra, teksa njeriu në namaz kthehet me tërë qenien kah Zoti dhe është shumë afër Tij, teksa merr mesazhin moral të namazit për marrjen e energjisë që buron aty, namazi (duhet të) shndërrohet dhe të shërbej si energji me ndihmën e së cilës ai më lehtë do t’i përballojë sfidat dhe vështirësitë e jetës së tij.

Kërkoni ndihmë (për të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtetë, ajo është e madhe, por jo edhe për ata që kanë frikë Zotin”. “Të cilët janë të bindur se do të takojnë Zotin e vet dhe se ata do t’i kthehen Atij”. (el-Bekare, 45 – 46)

Nga ana tjetër, sabri (durimi) të cilin e përmend Kur’ani në ajetin e 45 të po të njëjtës sure, nuk duhet kuptuar si durim pasiv. Sabri në kuptimin e mësimeve islame është qëndrueshmëri konsistente në luftën aktive kundër të keqes, është këmbëngulje në të dobishmen, në të virtytshmen dhe në vijën e krijimit të vlerave, pa marrë parasysh vështirësitë dhe sakrificat. Sipas Kur’anit, fuqia e shpirtit, morali i lartë dhe këmbëngulja për punë janë bazë e të gjitha fitoreve dhe sukseseve.

– vazhdon –