Një paradoks i madh historie: më 24 mars të vitit 1999 shtetet e Quintit u desh ta mbronin Kosovën prej Serbisë, e më 24 mars të vitit 2020 u desh ta mbronin Kosovën prej presidentit të vendit dhe aleatëve të tij
Shkruan: Veton Surroi
1.
Dom Giuseppe Berardelli ishte motoçiklist i pasionuar dhe famullitar në Casigno, në regjionin e Lombardisë. U diagnostikua me COVID-19, si dhe shumë shërbëtorë të Kishës katolike, të cilët dëgjuan thirrjen që të jenë sa më afër qytetarëve në këtë kohë Murtaje.
U shtri në spital. Besimtarët e famullisë së tij ia blenë disi një respirator, sepse të gjithë ishin të zënë nga pacientët e tjerë. Famullitari 72-vjeçar vendosi që respiratorin t’ia jepte në shërbim një pacienti më të ri. Vdiq dje.
Rrëfimi kishtar do të tregohet gjatë, si vetëmohim dhe gatishmëri për sakrificë, pjesë të mësimeve biblike.
Rrëfimi laik po ashtu do të tregohet gjatë. Prejse kriza e COVID-19 u përshkallëzua në Itali, një pjesë e rrëfimit përsëritet çdo ditë nga mjekët dhe infermierët se mbërrin momenti kur ata me vetëdije të plotë duhet të vendosin se kush do të jetojë dhe kush duhet të vdesë.
Ai moment është prej kohësh në Itali, kur sistemi shëndetësor nuk ka kapacitet të trajtimit të pacientëve me sëmundje të tjera e as të pacientëve të rinj me COVID. Për t’u përqendruar në resurset që ekzistojnë – shtretërit, stafin, medikamentet, respiratorët – mjekët dhe infermierët duhet të marrin vendim ditë pas dite, pastaj orë pas ore, pastaj minutë pas minute, se cili pacient meriton kujdes e cili jo. Pra, cili meriton të jetojë dhe cili jo.