Autoritetet franceze njoftuan se i kanë identifikuar tre persona të infektuar me virusin misterioz kinez. Dy prej tyre janë dërguar në një spital të Parisit, ndërsa tjetri në Bordeaux.
Ministrja e shëndetësisë, Agnes Buzyn, tha në një konferencë për medie se deri më tash janë tri raste dhe se numri i personave të infektuar pritet të rritet.
Buzyn tha se njëri prej pacientëve është një person 48-vjeçar, i cili ishte kthyer nga Kina dy ditë më parë. Gjatë vizitës në Kinë, ai kishte qëndruar edhe në qytetin Ëuhan, ku u regjistruan rastet e para të virusit.
“Ai është vendosur në një dhomë të izoluar për t’i shmangur të gjitha kontaktet me botën e jashtme. Ai është në gjendje të mirë”, tha ministrja.
Shumica e rasteve të të infektuarve dhe personave të vdekur janë shënuar në Kinë, ku autoritetet kanëvendosur kufizime të ashpra në transport dhe tubimet publike.
Virusi ka shkaktuar alarm në tërë botën, por ende mbesin disa gjëra të paqarta rreth tij, përfshirë atë se sa është i rrezikshmë dhe sa lehtë mund të përhapet mes njerëzve.
Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë të enjten e shpalli gjendjen emergjente në Kinë, por jo edhe në pjesët e tjera të botës, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.